Britania pranon marrëveshjen e Brexit-it
Zyrtarët e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian kanë rënë dakord për projekt-tekstin e një marrëveshjeje të Brexit pas disa muajsh negociatash në Bruksel.
Një burim nga kabineti i Theresa May i tha BBC-së se për dokumentin është rënë dakord në një nivel teknik nga zyrtarët e të dyja palëve pas diskutimeve intensive këtë javë.
Një takim i posaçëm i kabinetit do të mbahet të mërkurën në orën 14:00, ndërsa Theresa May kërkon mbështetjen e ministrave të saj për të çuar përpara marrëveshjen.
Ndërkohë Britania është duke “mbajtur frymën” me sytë nga Downing Street, ku kryeministrja e tyre po takon ministrat për bisedime kokë më kokë me gjithsecilin, pasi atyre po u prezantohet projekt-marrëveshja.
Ndërkohë lajmi për arritjen e një draft-marrëveshje ka bërë që paundi britanik të rritet kundrejt dollarit dhe euros, por analistët paralajmërojnë se rritja e monedhës mund të jetë afatshkurtër, me që kabineti dhe parlamenti ende s’kanë arritur akordin final.