Britania rrit buxhetin për mbrojtjen, 6 miliardë dollarë më shumë për dy vitet e ardhshme
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka premtuar rritjen e shpenzimeve ushtarake me 6 miliardë dollarë gjatë dy viteve të ardhshme, në përgjigje të sulmit të Rusisë në Ukrainë dhe “sfidës epokale” nga Kina.
Rritja buxhetore, pjesë e një rishikimi madhor të politikave të jashtme dhe të mbrojtjes së Britanisë, është sidoqoftë më pak se ç’kishin kërkuar zyrtarët e mbrojtjes.
Sunak ka theksuar se Britania do t’i rrisë shpenzimet ushtarake në nivelin 2.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto “në periudhën afatgjatë”, por nuk caktoi një datë për këtë. Aktualisht, Britania shpenzon pak mbi 2 për qind të PBB-së dhe drejtuesit ushtarakë dëshirojnë që kjo shifër të rritet në 3 për qind.
Fondet shtesë do të përdoren pjesërisht për të plotësuar rezervat me municione të Britanisë, që u përdorën për të furnizuar Ukrainën për t’u mbrojtur nga Rusia.
Një pjesë e fondeve do të shkojë për marrëveshjen Britani-ShBA-Australi për prodhimin e nëndetëseve me energji bërthamore.
“Bota është bërë më e paqëndrueshme, kërcënimet ndaj sigurisë tonë janë shtuar”, i tha Sunak kanalit “BBC” gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara. “Është e rëndësishme që të mbrohemi nga këto”.
Britania ka hartuar për herë të fundit një kornizë të mbrojtjes, sigurisë dhe politikës së jashtme, të njohur si Rishikimi i Integruar, në vitin 2021.
Qeveria urdhëroi një përditësim në përgjigje të një bote gjithnjë e më të paqëndrueshme. Raporti i ri, i publikuar të hënën, thotë se “ekziston një perspektivë në rritje që mjedisi i sigurisë ndërkombëtare do të përkeqësohet më tej në vitet e ardhshme, me kërcënimet shtetërore që rriten dhe diversifikohen në Evropë dhe më gjerë”.
Sulmi rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 ndryshoi rendin evropian të sigurisë dhe dokumenti i rishikuar thotë se Rusia përbën “kërcënimin më akut për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar”.
Britania është gjithashtu gjithnjë e më e shqetësuar për atë që qeveria e quan “sfida përcaktuese epokale e paraqitur nga aktiviteti gjithnjë e më shqetësues ushtarak, financiar dhe diplomatik i Partisë Komuniste Kineze”.
Dokumenti i rishikuar i mbrojtjes thotë se “kudo që veprimet dhe objektivi i deklaruar i Partisë Komuniste Kineze kërcënojnë interesat e Mbretërisë së Bashkuar, ne do të ndërmarrim veprime të shpejta dhe të fuqishme për t’i mbrojtur ato”.