Britania sanksionon bashkëpunëtorë të oligarkëve rusë

12 prill 2023 | 14:45

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë me dije listën e re të sanksioneve lidhur me pushtimin rus të Ukrainës. Me vendimin e ri janë shënjestuar “ata personave që me vetëdije kanë ndihmuar” oligarkët e sanksionuar rusë, sikurse ish-pronarin e klubit futbollistik Chelsea, Roman Abramovich.

Masat e reja kanë shënjestruar Demetris Ioannides dhe Christodoulos Vassiliades, dy qipriotë “ndërmjetësues profesionistë” që Britania i akuzon se kanë ndihmuar Abramovichin dhe ish-ansionarin në Arsenal, Alisher Usmanov.

Ioannides ka krijuar “struktura të dyshimta offshore (jashtë vendit)” që janë përdorur nga Abramovich për të fshehur mbi 760 milionë funte në asete para se të sanksionohej vitin e kaluar, ndërsa avokati Vassiliades ka krijuar fonde të mirëbesimit dhe kompani offshore që janë përdorur nga Usmanov, ka thënë Qeveria britanike.

Usmanovit, oligark i lidhur me Kremlinin, iu sanksionua rrjeti financiar – që përfshin kompanitë USM, Curzon Square Limited dhe Hanley Limited – nga autoritetet britanike.

“Ne po mbyllim rrugët për elitën ruse dhe për ata që po tentojnë t’iu ndihmojnë që të fshehin paratë e tyre nga lufta”, ka thënë sekretari i Jashtëm, James Cleverly, duke u zotuar se për ta “nuk ka vend ku mund të fshihen”.

“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përndjekë ata që e mbështesin këtë luftë. Ne nuk do të ndalemi derisa të ndalet presidenti rus, Vladimir Putin”, ka thënë ai, raporton “Rel”.

Zyra për Jashtë dhe Zhvillim e Britanisë deri më tani ka vendosur një sërë runde sanksionesh që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar, duke shënjestruar anëtarë të familjeve të oligarkëve dhe ata individë që oligarkët përdorin “për të fshehur asetet e tyre”.

Në listën e sanksioneve është përfshirë edhe prezantuesja televizive ukrainase, Oksana Marchenko, burri i së cilës, pasaniku ukrainas Viktor Medvedchuk, që më herët ishte deputet, u dërgua në Rusi në një këmbim të burgosurish vitin e kaluar.

Shumë oligarkë, përfshirë Abramovichin dhe Usmanovin, kanë ngritur padi ndaj sanksioneve që kanë vendosur Britania dhe Bashkimi Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka zhvilluar bisedime…