Britania: Takimi në Bruksel është mundësi për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka thënë se takimi i nesërm që pritet të ndodhë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq është një mundësi e mirë për t’i ulur tensionet dhe për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Kurti dhe Vuçiqi do të takohen të enjten në mëngjes në Bruksel, ku të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuesi i lartë të BE-së.
“I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, foli dje me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin serb, duke nënvizuar shqetësimin e Mbretërisë së Bashkuar për rritjen e tensioneve dhe gjuhën e nxehtë të ditëve të fundit”.
“Udhëheqësit tani kanë mundësinë dhe përgjegjësinë në bisedimet e tyre në Bruksel për të vënë qytetarët e tyre në radhë të parë, për të forcuar më tej arritjet e deritanishme në dialog dhe për të bërë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka njoftuar Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.