Britania vendos sanksione ndaj pesë bankave ruse
Gjatë mbledhjes së komitetit të qeverisë për situatën në Ukrainë, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka nisur fjalimin e tij duke thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka “shkelur në mënyrë flagrante” marrëveshjet e Minskut, duke njohur dy rajone të kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore, shkruan “BBC”.
Sipas Johnsonit, vendimi i Putinit për të njohur rajonet separatiste të Ukrainës është një pretekst për pushtimin e plotë të Ukrainës. Kryeministri britanik ka thënë se deputetët duhet të mendojnë se si në vitin 2022 një udhëheqës mund të organizojë me qetësi dhe qëllimisht shkatërrimin e një fqinji paqësor dhe është pikërisht kjo që po bën Putini.
“Ne nuk duhet të përgatitemi për fazat e ardhshme të planeve të Putinit, por duhet të presim një ofensivë të përgjithshme prej afro 200 000 trupash. Ne do të vendosim menjëherë një paketë sanksionesh ndërkombëtare. Ky është vetëm fillimi i një breshëri sanksionesh, sepse ne besojmë se do të ketë më shumë sjellje irracionale ruse në të ardhmen”, ka thënë ai.
Boris Johnson ka njoftuar vendosjen e sanksioneve kundër pesë bankave ruse: “Rossiya”, “IS Bank”, “General Bank”, “Promsvyazbank” dhe Bankës së Detit të Zi.
Johnsoni ka thënë se Britania e Madhe do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje diplomatike deri në momentin e fundit.
“Britania e Madhe dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të vendosin sanksione kundër Rusisë”, ka thënë kryeministri Johnson.