Britanikët dhe francezët bëhen bashkë për prodhimin vaksinës kundër Covid-19
Një nga kompanitë më të mëdha të farmaceutikës në Britani është bashkuar me një rivale franceze për të zhvilluar një vaksinë të koronavirusit dhe për të prodhuar qindra milionë doza të saj. GlaxoSmithKline, GSK, po punon bashkë me kompaninë franceze Sanofi për një trajtim që ata shpresojnë ta testojnë tek njerëzit gjatë gjysmës së dytë të këtij viti.
Ata duan ta vënë në dispozicion një vaksinë një vit më vonë nëse projekti ka sukses dhe rregullatorët japin miratimin. Emma Ëalmsley, shefe ekzekutive e GSK, prodhuesi më i madh britanik i vaksinave, tha se kjo është një dicka e jashtëzakonshme. Ajo shtoi: “Ne jemi të përkushtuar të bëjmë një vaksinë të përballueshme për publikun nëpërmjet këtij bashkëpunimi.”
GSK është në listën e 100 kompanive më të mëdha të Britanisë e renditur në bursën e aksioneve FTSE. Ajo gjeneroi vitin e kaluar gati 33.8 miliardë paund shitje, nga të cilat 7.2 miliardë paund nga prodhimi i vaksinave. Ajo është një nga katër kompanitë më të mëdha që zotërojnë industrinë e vaksinave, bashkë me francezen Sanofi, me qendër në Paris, dhe dy rivalet amerikane Pfizer dhe Merck.
Marrëveshja është e rëndësishme sepse hap perspektivën që një trajtim për Covid-19 të prodhohet shpejt dhe në shkallë të gjerë për të trajtuar pandeminë. Normalisht duhen të paktën 10 vjet për të zhvilluar një vaksinë nga e para, por kompanitë e ilaçeve dhe institucionet kërkimore po përpiqen ta bëjnë këtë shumë më shpejt.
Sanofi do të sjellë në partneritet një antigjen Covid-19 që po zhvillon – një molekulë që ndihmon trupin të prodhojë antitrupa. GSK do të kontribuojë në teknologjinë e saj ndihmëse, e cila rrit fuqinë e një antigjeni. Kjo i bën dozat më të vogla më efektive dhe nënkupton që mund të prodhohen më shumë vaksina. Zonja Ëalmsley, tha: “Ne besojmë se nëse jemi të suksesshëm do të jemi në gjendje të bëjmë qindra milionë doza në vit duke filluar nga fundi i vitit të ardhshëm.”
Kjo marrëveshje e çon në shtatë numrin e bashkëpunimeve që GSK ka me grupe të tjera për Covid-19, përfshirë universitete dhe kompani më të vogla. Ndërmarrja britanike nuk ka ndërmend të përfitojë nga ndonjë prej këtyre iniciativave gjatë pandemisë dhe do të investojë para për të bërë hulumtime për pandeminë, tha zonja Walmsley.
Organizata Botërore e Shëndetit tha se tashmë kanë shkuar 70 projektet për një vaksinë të Covid-19. Ato përfshijnë një ekip të udhëhequr nga Sarah Gilbert, profesore e vaksinologjisë në Universitetin e Oksfordit, e cila javën e kaluar i ka thënë ‘The Times’ se ajo ishte “80 përqind e sigurt” se trajtimi i tyre do të funksiononte, ndoshta deri në shtator. /The Times