Britanisë i jepet edhe një shans për Brexitin me marrëveshje
Kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May, i mbetet tani të bindë ligjvënësit e vendit që të mbështesin planin e saj për largim nga Bashkimi Evropian, apo Brexit, pasi BE-ja ka propozuar shtyrje të Brexit-it përtej 29 marsit, datës së paraparë aktualisht.
Të enjten vonë, pas tetë orësh bisedime, udhëheqësit e BE-së kanë ofruar shtyrje të Brexit-it deri më 22 maj, nëse ligjvënësit britanikë e miratojnë planin e Mayt javën e ardhshme.
Nëse nuk e miratojnë, shtyrja do të jetë më e shkurtër, deri më 12 prill, dhe në atë rast, Britania do të duhet të dalë me vendime të reja ose të largohet pa marrëveshje.
May ka thënë se ligjvënësit kanë një “zgjedhje të qartë”.
Plani i saj, i dakorduar me BE-në, ka dështuar dy herë në Parlament, kryesisht për shkak të një pike që përshkruan qasjen ndaj kufirit të Irlandës, pas Brexit-it.
Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian me një referendum në vitin 2016.
Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa një plan të dakorduar me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.
Një peticion online që bën thirrje për anulimin e Brexit-it ka mbledhur mbi dy milionë nënshkrime që nga 21 marsi.