British Airways rikthen fluturimet në Pakistan
Kompania e fluturimeve, British Airways ka rikthyer shërbimet direkte në Pakistan, pas më shumë se 10 vjetëve prej kur ka pezulluar ofrimin e shërbimeve për shkaqe të sigurisë.
Fluturimi i parë prej kësaj kohe është realizuar në pasditën e së dielës nga Londra, për të arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Islamabadit më 3 qershor.
Diplomati kryesor i Britanisë për Pakistanin, Thomas Drew, e ka cilësuar këtë ngjarje si “ditë të madhe” për Britaninë dhe Pakistanin.
Kjo kompani britanike ka ndalur fluturimet në Pakistan më 2008, pak kohë pasi një sulm vetëvrasës pati lënë të vdekur më shumë se 50 persona në Hotelin Marriot në Islamabad.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kjo kompani ka njoftuar se do të rikthejë fluturimet gjatë këtij muaji nga Londra drejt kryeqytetit pakistanez.
Për sulmin e shtatorit të vitit 2008, përgjegjësinë e ka marrë një grup i vogël militant, derisa autoritetet kanë fajësuar grupin Al-Kaida.
Në Britani jetojnë më shumë se 1 milion banorë me prejardhje nga Pakistani, çka përbën komunitetin më të madh të diasporës pakistaneze në Evropë.
Përgjatë këtyre viteve, Linja Ndërkombëtare e Pakistanit ka qenë kompania e vetme, që ka kryer fluturime direke në të dyja shtetet.