Brnabiq-Kurtit: Ndryshe është në opozitë e ndryshe kur ke punë me Amerikën
Asnjëherë më e qartë s’ka qenë porosia e SHBA-së siç është tani se është e domosdoshme që Prishtina të heqë takën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, ka deklaruar kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, duke shtuar se atë porosi, përveç të dërguarit speciale të presidentit Trump, Richard Grenellit, e kanë dërguar edhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, sikurse edhe Josep Borrell, shefi i ri i diplomacisë së BE-së.
Bërnabiq është shprehur se Albin Kurti, derisa nuk ka qenë kryeministër, ka folur ndryshe dhe ka vlerësuar se tani ai ka përgjegjësi të tjera, shkruan lajmi.net.
“Përgjegjësi ndryshe kur jeni në opozitë, e tjetër kur jeni direkt përgjegjës në raportet Kosovë – SHBA. Kjo është e shkëlqyeshme për serbët në Kosovë, e mirë për tërë rajonin sepse vendimi për t’i dhënë kombësi biskotave dhe qumështit duhet të tërhiqet. Ky është sinjal i mirë për të ardhmen”, tha kryeministrja serbe për televizionin PINK.
Sipas saj, heqja e takës është e shkëlqyeshme edhe për të gjithë të tjerët në Kosovë, e edhe për shqiptarët të cilët, siç tha ajo, “e paguan shtrenjtë atë vendim politik”, ndërsa shtoi se atë çmim po e paguajnë edhe sot dhe “do të vazhdojnë ta paguajnë derisa nuk tërhiqen këto masa”.
Duke folur për reciprocitetin që e ka përmendur kryeministri Kurti në mënyrë që të hiqet taksa, Bërnabiqi thotë se nuk është e sigurt se për çfarë reciprociteti flet.
“Politika e Qeverisë së Serbisë është shumë e qartë, nuk ka zona gri, ne kërkojmë respektimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, kërkojmë respektim të marrëveshjes CEFTA, s’ka këtu paqartësi”, shtoi Bërnabiqi.
Ndërkohë, Kurti sot ka ripërsëritur qëndrimin e tij se taksa do të hiqet dhe reciprociteti me Serbinë do të hyjë në fuqi. /Epoka e re/