Broja konfirmon largimin nga Partizani: Faleminderit të gjithëve!
Pas Jasir Asanit, Erald Çinarit, Eneo Bitrit, Esin Hakajt e Hektor Idrizajt, te Partizani vjen largimi i radhës.
Rron Broja nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për ta rinovuar kontratën që i skadonte më 30 qershor me klubin kryeqytetas duke ndarë përfundimisht rrugët me Partizanin. 25-vjeçari nga Kosova, i cili u bë pjesë Partizanit para dy vjetësh, pasi kishte spikatur me fanellën e Shkupit në Maqedoninë e Veriut, ka vendosur të largohet nga të kuqtë me të cilët zhvilloi në total 62 ndeshje në Kategorinë Superiore në dy sezone, duke shënuar dhe dy gola.
Broja me një postim në rrjetet sociale ka zyrtarizuar lamtumirën nga Partizani, duke falënderuar drejtuesit e klubit, tifozët dhe shokët e skuadrës për këto dy vite që sipas tij kanë qenë të mrekullueshme pasi është rritur shumë si futbollist.
“Dua të njoftoj se nga sot nuk do të jem pjesë e KF Partizani. I falënderoj të gjithë, duke nisur nga presidenti, drejtori, trajnerët, shokët e skuadrës dhe gjithë stafin e klubit, me të cilët kemi punuar së bashku në këto dy vjet. Gjithashtu, një falënderim i veçantë për tifozët ‘Ultras Guerrils’ për mbështetjen e tyre në çdo çast”, ka thënë Boja.