Broja largohet nga FC Shkupi
Skuadra e FC Shkupit në radhët e veta kishte një ndër futbollistët më të mirë në mesfushë, Rron Brojën i cili me klubin bardhekaltër u bashkua në janar të vitit 2018. Brojës i kishte përfunduar kontrata dhe në tentim për të gjetur bashkëpunim të ri dhe për renovim të saj, nuk u arrit marrëveshje e re.
“Dua të shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë tifozët e FC Shkupit, kryesinë, bashkëlojtarët dhe stafin për mundësinë që të luaj për Shkupin dhe për dy vitet e mrekullueshme në klub. Ishte ndjenjë e veçantë të bartë këtë fanellë dhe të luaj para një tifozërie të zjarrtë siç janë ‘Shvercerat’. Gjithmonë do të ketë një vend për FC Shkupin dhe ‘Shvercerat’ në zemrën time”, ka thënë Broja.
Në sezonin që lamë pas, Rron Broja kishte 29 paraqitje me Shkupin, duke shënuar një gol dhe dy asistime.
Kryesia e FC Shkupi, lojtarët dhe i gjithë stafi falënderojnë Brojën për angazhimin e tij të dhënë gjatë kësaj periudhe, duke i dëshiruar suksese në karrierë. Mes tjerash kontrata i ka kaluar edhe turkut me shtetësi britanike, Berat Jonathan Ustabasi, i cili dha kontribut të madh në këtë gjysmë sezon, duke shënuar dy gola në 16 paraqitje.