Broja: Premierë Liga, ëndërr e realizuar
Konsiderohet me të drejtë e ardhmja e sulmit të kombëtares shqiptare. Jo më kot nënshkroi kontratë pesëvjeçare me Chelsean, sepse vlerat i ka të mëdha, edhe pse ende vetëm 20 vjeç.
Pas golave në Holandë, i huazuar te Vitesse edicionin e kaluar, Armando Broja po e bën këtë edhe aktualisht në Premierë Ligë. Për momentin pesë janë golat e tij në këtë sezon si pjesë e “Shenjtorëve”, të cilët i japin statusin e golashënuesit më të mirë në ekipin ku është huazuar për një vit.
“Po e shijoj vërtet. Është pa dyshim sezoni im i parë në Premierë Ligë. Unë jam një lojtar i ri dhe është e mahnitshme që kam mundësi për të qenë në Premierë Ligë dhe për të fituar përvojë. Këtu do të bëhem një lojtar më i mirë. Është një ëndërr e realizuar. Unë, thjesht, po përpiqem të përmirësohem çdo ditë dhe të mësoj. Sigurisht që ka gjithmonë konkurrencë. Është Premierë Ligë. Është liga më e vështirë. Gjithmonë do të ketë konkurrencë në ekip. Unë, thjesht, do të mbaj kokën ulur dhe do të përpiqem ta ndihmoj ekipin sa më shumë që të jetë e mundur. U lumturova që shënova të shtunën, por gjëja kryesore është skuadra. Ishte e turpshme pse nuk arritëm t’i merrnim tri pikët”, ka thënë Broja.
Duke reflektuar mbi barazimin ndaj Brightonit, Broja, i cili tashmë ishte zëvendësuar nga Armstrong, kur Maupay gjeti golin e ekuilibrit, ka deklaruar: “Sigurisht që është zhgënjyese. Është një goditje e madhe të pësosh një gol të tillë. Pa dyshim që nuk është gjëja më e mirë për ne, por mendoj se performanca e përgjithshme ishte vërtet e mirë. Mendoj se e kontrolluam lojën, e dominuam ndeshjen, është për të ardhur keq të pësosh gol në fund. Nuk është ajo që dëshironi. Ne vetëm duhet të vazhdojmë të ecim përpara, të përmirësohemi dhe të punojmë shumë. Është Premierë Ligë, gjithçka mund të ndodhë. Është liga më e mirë në botë. Një shans pati kundërshtarin dhe shënoi një gol. Nuk ishte rezultati ideal për ne. Sidoqoftë, thjesht do të vazhdojmë të ecim përpara. Do ta sfidojmë Arsenalin në ndeshjen e ardhshme”.