Broja, tifozëve të Evertonit: Ende nuk e keni parë më të mirën time

07 prill 2025 | 15:40

Trajneri David Moyes ka bërë një punë të shkëlqyer që nga rikthimi në stolin e Evertonit.

Qëllimi i vetëm i tij ishte të siguronte qëndrimin në Premier Ligë para se klubi të zhvendoset në stadiumin e ri “Bramley-Moore Dock” dhe këtë e arriti me lehtësi.

Tani, me Evertonin tashmë të sigurt, javët e fundit të sezonit ofrojnë mundësi për lojtarët e stolit dhe ata që duan të provojnë veten. Një prej tyre është Armando Broja, i cili ka dërguar një mesazh.

Broja iu bashkua Evertonit verën e kaluar në formë huazimi nga Chelsea me shpresën që të forconte repartin ofensivë, por dëmtimet ia kanë prishur sezonin. Ai humbi muajt e parë për shkak të një dëmtimi në thembër dhe bëri debutimin në dhjetor kundër Wolves. Më pas u lëndua sërish në janar në ndeshjen e FA Cup ndaj Peterborough, duke humbur gjithsej 22 ndeshje këtë sezon.

Aktualisht ai ka luajtur vetëm në 9 ndeshje, me 297 minuta në total, pa gola apo asistime. Megjithatë, Broja është optimist dhe i vendosur të tregojë veten.

Në një deklaratë për “Everton Official”, ai u shpreh: “Ndihem shumë më mirë tani. Jam i lumtur që mund të rikthehem në fushë dhe të luaj pa dhimbje. Kjo ishte gjithçka që doja – të isha pa dhimbje, të shijoja futbollin, të luaja përpara tifozëve dhe të jepja maksimumin për skuadrën. Jam 100% i sigurt që kam shumë më tepër për të dhënë. Më e mira nga unë ende nuk ka ardhur. Do të ketë momente ku do të shënoj, do të asistoj dhe do të luaj shumë më mirë, me siguri”.

Rast i artë për Brojën, ndërsa Beto ka rënë në formë

Me Beton që nuk ka shënuar në pesë ndeshjet e fundit, dera i hapet Brojës për të marrë më shumë minuta. Moyes ka thënë se dëshiron ta përfshijë më shumë sulmuesin shqiptar në ndeshjet e mbetura, dhe tani, me Evertonin të sigurt nga rënia, ai ka mundësinë të tregojë vlerat e tij.

Nëse shfrytëzon si duhet këtë periudhë, Broja mund të ndikojë në vendimin e klubit për ta blerë ose për ta huazuar sërish sezonin tjetër. Gjithçka varet nga ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga lëvdatat se si një figurë jopartiake do të nxisë…