Brown rinovon kontratën me Bostonin, bëhet basketbollisti më i paguar në historinë e NBA
Basketbollisti i Boston Celtics, Jaylen Brown është bërë lojtari më i paguar në historinë e NBA. 26-vjeçari rinovoi kontratën me skuadrën e Celtics, nga e cila do të përfitojë 304 milionë dollarë për 5 vitet e ardhshme.
Pra, më shumë se 60 milionë në sezon. Një shifër që shkruan historinë e NBA-së edhe pse sipas specialistëve kjo gjë pritej, duke parë paraqitjet e Brown, që shkëlqeu sezonin e fundit me Boston. Çuditërisht, ai nuk u përshi në ekipin e parë të sezonit të kaluar në NBA, por në pesëshen e dytë. Gjithsesi, kjo nuk e ndali të nënshkruajë kontratën e re, që kalon ndjeshëm atë të Nikola Jokiq (276 milionë dollarë në 5
vite me Denverin). Kjo kontratë pritej të zyrtarizohej kohë më parë, por lojtari ka qenë me pushime në Spanjë dhe vetëm ditët e fundit është rikthyer në Boston, ku dhe ka hedhur firmën në kontratën e re, pasi kreu vizitat mjekësore. Lajmin e konfirmoi Jasin Glushon, agjenti i basketbollistit. Skuadra e Boston ka luajtur në 3 finale të Konferencës së Lindjes në 4 vitet e fundit dhe Jaylen Brown ka qenë një nga lojtarët më të mirë. Ai formon një dyshe të jashtëzakonshme me Tatum,
që verën e ardhshme edhe ai mund të nënshkruajë një kontratë të re, për të thyer këtë rekord të shokut të skuadrës.