Bruqi: Flamurtari do të mbetet në Superligë
Futbollisti Agron Bruqi është shumë optimist se skuadra e Flamurtarit do ta sigurojë mbijetesën në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Skuadra e Flamurtarit pati një sezon mesatar në vjeshtë, pasi përfundoi në pozitën e nëntë me 19 pikë. Mesfushori dhe një nga lojtarët më të dalluar në këtë klub, Agron Bruqi, ka thënë për “Epokën e re” se rezultatet e skuadrës nga kryeqyteti i Kosovës kanë mundur të jenë shumë më të mira.
“Rezultatet nuk kanë qenë aq pozitive, pasi me pak fat në disa ndeshje kemi mundur të dalim shumë më mirë dhe tash t’i kishim të paktën edhe katër pikë të tjera. Megjithatë, na mbetet shumë punë për sezonin pranveror”, ka thënë Bruqi, i cili më pas është shprehur i kënaqur me fazën përgatitore të skuadrës së Flamurtarit, derisa ka zbuluar se ky klub do të udhëtojë në fund të muajit në Turqi për t’i mbushur “bateritë” për pranverë. “Po stërvitemi nga dy herë në ditë dhe deri tash përgatitjet janë duke shkuar sipas planit të shtabit teknik, kurse fazën e dytë do ta vazhdojmë në Turqi dhe atje do të zhvillojmë edhe disa ndeshje miqësore për të qenë maksimalisht të përgatitur për pranverë”, ka shtuar ai.
Flamurtari edhe në këtë edicion synim e ka mbijetesën në IPKO Superligë, kurse është katër pikë larg nga pozita e tetë që e siguron mbijetesën. Mesfushori nga Deçani ka thënë se kuqezinjtë kanë ekip të mirë dhe me një angazhim maksimal nga të gjithë në klub, mbijetesa do të jetë e sigurt.
“Personalisht kam besim të madh në ekipin që e kemi dhe do të arrijmë të mbesim në Superligë, ani pse nuk do të jetë aspak lehtë. Konkurrent kryesor drejt realizimit të këtij synimi i kemi Trepçën ’89 dhe Drenicën, por nëse të gjithë angazhohemi njëqind për qind, atëherë Flamurtari do të bëjë garë në elitë edhe në sezonin 2020/2021”, ka thënë Bruqi. Flamurtari në shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara në sezonin vjeshtor ka regjistruar pesë fitore, katër barazime dhe tetë humbje.
/Veton ZYMBERI/