Brusa: Eksporti, sfida më e madhe për Kosovën
Rreth 30 kompani kosovare janë trajnuar dhe këshilluar për rritjen e konkurrueshmërisë dhe promovimin e eksportit në mënyrë që të rritet ekonomia dhe punësimi në Kosovë.
Kështu është thënë të premten në mbylljen e projektit ICEP (Rritja e konkurrueshmërisë dhe promovimit të eksportit) të realizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) së bashku me projektin e financuar nga BE-ja.
Luigi Brusa nga Zyra e BE-së ka thënë se ky projekt mjaft i suksesshëm për ndërmarrësin ka qenë një lloj drite për drejtimin e kompanive, ngase në Kosovë ka potencial dhe ardhmja e këtij vendi është e ndritshme.
“Ky projekt është financuar që të ndihmojë 29 ndërmarrës, në mënyrë që të pranojnë sfidat. Mbështetja praktike i bënë më të fuqishëm dhe po ashtu Kosovën. Sfida më e madhe për Kosovën është eksporti. Andaj, këto kompani i kemi ndihmuar në ngritjen e konkurrueshmërisë. Projekti ka pasur për qëllim edhe rritjen e ekonomisë dhe punësimit në Kosovë”, ka deklaruar Brusa.
Ai ka theksuar se MSA-ja është një qasje e bizneseve të Kosovës në tregun e BE-së me konsumatorë prej 500 milionë, por Brusa ka thënë se duhet të përmbushën standardet për të qenë konkurrent.
Ndërkohë, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe MTI në vazhdimësi e kanë harmonizuar legjislacionin për zhvillimin e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla.
Sipas tij, MTI-ja ka përgatitur strategjinë për rritjen e cilësisë së prodhimeve, që bizneset të jenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Kurse, Besian Mustafa nga KIESA, ka thënë se ky projekt ka pasur për qëllim ndërkombëtarizimin e kompanive kosovare dhe qasjen e tyre në tregun evropian.
/Epoka e re/