Bruto produkti vendor shënon rritje 3.2 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar “Bruto Produktin Vendor” (BPV) për tremujorin e katërt (TM4) 2017, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.
Sipas ASK-së, BPV-ja në TM4 të vitit 2017 shënon rritje reale për 3.2%, në krahasim me TM4 të vitit 2016. “Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: aktivitetet financiare dhe të sigurimit (30.4%); industria përpunuese (7.4%); transporti dhe magazinimi (6.8%); tregtia me shumicë dhe pakicë (5.7%); afarizmi me pasuri të patundshme (4.2%); industria nxjerrëse (4.0%); hotelet dhe restorantet (3.9%); bujqësia, gjuetia dhe pylltaria (3.4%); dhe ndërtimtaria (2.6%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Ndërsa, rënie reale sipas ASK-së, kishte në të dhënat e furnizimit me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave (22.0%). “BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, në: eksportin e mallrave dhe shërbimeve (35%); importin e mallrave dhe shërbimeve (6.67%); formimin e bruto kapitalit (4.0%); shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (3.5%); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jo përfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) (0.1%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë, ASK-ja jep një vlerësim paraprak për vitin 2017, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve, pati një rritje prej 3.74%, krahasuar me vitin 2016.