BSPK-ja bën thirrje për hartimin e Projektligjit për paga
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe të fillojë hartimin e Projektligjit për paga.
“E thërrasim Partnerin Tonë Social – Qeverinë që të merret më këmbëngulshim e më profesionalisht me hartimin e Projektligjit për paga, duke i përfshirë edhe kapacitetet tona profesionale, dhe të hapë rrugë për Pagën Minimale e edhe për Kontratën Kolektive, për këto akte të rëndësishme e tejet të nevojshme juridike të cilat po tejzvarriten. Kjo tejzvarritje nuk është aspak e mirë e sidomos kur është premtuar dhe është bërë marrëveshja e është marrë zotimi, na respektoni që të mund të kemi respekt të dyanshëm”, është bërë ne dije në reagimin BSPK-së, duke theksuar se kërkesat e arsyeshme të punëtorëve nevojë meritojnë një mirëqenie sociale ndryshe.
“Në kohën kur lufta në Ukrainë po intensifikohet, dhe e ka angazhuar vëmendjen e Fuqive të Mëdha, të SHBA-së, të NATO-s dhe të BE-së, dhe ka nxjerrë në dritë mendësinë mesjetare të fqinjit tonë i cili haptas po kërcënon lirinë dhe integritetin tonë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thërrasim Partnerin Tonë Social – Qeverinë që përveç kujdesit të tejshtuar për ruajtjen e lirisë dhe të integritetit të vendit, të merret edhe me kërkesat e arsyeshme të punëtorëve dhe t’ju dalë krahë se vërtetë kanë nevojë dhe meritojnë një mirëqenie sociale ndryshe”, është thënë në reagimin e BSPK-së.