BSPK-ja dhe AKB-ja reagojnë pas premtimit të Kurtit për ndarjen e 100 eurove për punëtorët

12 prill 2022 | 15:40

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) kanë reaguar pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka njoftuar se pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro për muajin prill.

BSPK-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që kjo të mos mbetet vetëm deklaratë që thuhet, por të realizohet në mënyrë që të rritet mirëqenia ekonomike dhe sociale e punëtorëve, shkruan “Epoka e re”.

“Mbështetja financiare është e mirë e çfarëdoqofshme qoftë ajo, po Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që hartimi i projektligjeve, dhe miratimi, dhe plotësim-ndryshimi i ligjeve të veçanta për jetën e të punësuarve të ecin dhe të rregullojnë fushat përkatëse asisoj që të mos ketë hapësirë e as nevojë të kërkohet që të ndodhë ndryshe”, thuhet në reagimin e BSPK-së.

Kjo sindikatë pret nga qeveria që brenda këtyre muajve t’ua plotësojnë edhe kërkesat e tjera si: Miratimi i Ligjit për Paga, nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse.

Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) përmes një reagimi ka komentuar zotimin e Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove.

Sipas AKB-së, kjo është pako sociale dhe jo pako për zhvillim ekonomik. “AKB-ja e vlerëson pakon sociale të mirë dhe të domosdoshme për këtë periudhë, pasi Kosovës po i mungon një pako zhvillimore si rezultat i mungesës të një Strategjie Kombëtare për Zhvillim Ekonomik. Prandaj parat e taksapaguesve të qytetarëve duhet t’i kthehen përmes kësaj forme sociale, ku këtu përjashtohen qytetarët të cilët nuk kanë asnjë të ardhur nga kategoritë e cekura të qeverisë”, theksohet në reagimin e AKB-së.

Më tutje thuhet se bizneset dhe investitorët kanë nevojë për më shumë reforma të politikave kyçe ekonomike që nxitin zhvillim, punësim, investime, eksport dhe prodhim. “Shpresojmë që Qeveria e Kosovës pakon e radhës do ta ketë fokusin në zhvillimin ekonomik dhe uljen e taksave të përkohshme për produktet bazike që qytetarët të kalojnë më lehtë këtë periudhë të krizës ekonomike”, është thënë në reagimin e AKB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka…