BSPK-ja nuk tërhiqet nga kërkesat për Qeverinë, kanë një kundërpërgjigje për ministrin Murati
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Sektorit Privat (BSPK), janë duke kërkuar që të miratohet sa më parë Ligji për Pagat në Sektorin Privat.
Kryetari i Këshillit Drejtues të BSPK-së, Ali Gashi tha në T7, se beson që çështja e mjeteve nuk është arsyeja se pse ky Ligj nuk po miratohet.
“Nuk e besoj që është çështje e mjeteve. Siç e dini historikun e Ligjit të Pagave është se Gjykata Kushtetuese e shfuqizoj dhe ardhja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme ka ngec ky Ligj. Ligji rregullon shumë pakënaqësi të cilat kanë ndodhur dhe ku ka më mirë se të ekzistojë një Ligj që përveç se bën paqe sociale dhe e liron Qeverinë prej kësaj problematike që është”, ka thënë ai.
Ndër të tjera. Gashi tha se po kërkojnë respektimin e parimit që të ketë pagë të njëjtë për personat që e kryejnë punën e njëjtë.
“Ne gjithmonë e kemi thënë që duhet që të respektohet parimi për punë të njëjtë, pagë të njëjtë dhe nuk ka këtu privilegje e as presion, kërkohet vetëm barazi dhe transparencë”, tha më tutje ai.
Ai dha detaje edhe për problematikën tjetër që kanë shtruar në kërkesat e tyre ndaj Qeverisë, karshi asaj për miratimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Privat.
“Ne insistojmë që Ligji i Pagave të procedohet dhe njëkohësisht insistojmë që në buxhetin për 2022 të futet edhe linja buxhetore për Ligjin e Pagave, por si problematikë tjetër ne e kemi ngritur edhe çështjen e Ligjit për Skemat Pensionale të financuar nga shteti, ku ne kemi kërkuar që të rregullohet kjo çështje dhe t’u njihet përvoja e punëve të gjithë personave që janë dëbuar nga puna gjatë viteve të 90-ta”, ka thënë Gashi.