BSPK-ja paralajmëron greva e protesta të përgjithshme (Video)
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, në një intervistë për “Telegraf”-in me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për gjendjen e punëtorëve, protestat dhe mundësinë e shpërthimit të pakënaqësive sociale, privatizimin por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me punëtorët.
Ai ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës, nuk ndërmerr hapa për përmirësimin e kushteve për punëtorët, ata mund të organizojnë greva dhe protesta të përgjithshme. “Gjendja e punëtorëve në Kosovës nuk është e kënaqshme, sepse është trashëguar edhe nga e kaluara. Duhet të mendohet pak më ndryshe për të punësuarit në Kosovë edhe në parlament – deputetët të diskutojnë për punëtorët dhe për një program të zhvillimit ekonomik i cili do të mundësonte edhe hapje të vendeve të punës”, ka deklaruar Ajdini.
As Qeveria, e as Kuvendi, sipas tij, nuk janë duke diskutuar për programe që do ta përmirësonin gjendjen e punëtorëve. “Qeveria duhet ta ndërrojë mentalitetin e vet, pasi si punëtorë në të kaluarën kemi qenë të diskriminuar nga okupatori, kurse tash po diskriminohemi nga Qeveria”.
Ai ka thënë se me shkeljen e të drejtave të punëtorëve prinë sektori privat. “Në sektorin privat punojnë punëtorët si në ‘kohën e skllavizmit’. Ata punojnë 12 orë, kurse vendimin dhe pagesën e kanë për 8 orë pune”, ka deklaruar ai.
Sipas Ajdinit, në Kosovë janë ndarë dy shtresa e varfër dhe e pasur, ndërsa shtresa e mesme nuk ekziston.
Por nëse Qeveria e Kosovës, nuk ndërmerr masa atëherë nuk përjashtohen grevat dhe protestat të përgjithshme.
Ajdini ka kërkuar që Qeveria ta ndalojë vendimin për rritjen e pagave. “Pas tre muajve mund të futemi në greva dhe protesta gjenerale, sepse Qeveria e ka tepruar me punëtorët dhe tek e fundit nuk kemi më ku të shkojmë, sepse edhe ne jemi Kosovë”, ka thënë Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Ai ka thënë se edhe për privatizimin si BSPK, kanë ankesa pasi që nuk po u shpërndahet punëtorëve me kohë 20 përqindëshin dhe shumë nga punëtorët mund ta gëzojnë, pasi që po vdesin. “Nëse vazhdon ky avaz i vjetër punëtorët po vdesin pa e marrë 20 përqindëshin”, është shprehur Ajdini. /Telegrafi/
https://www.facebook.com/telegraficom/videos/2287142747968755/