BSPK-ja vlerëson rolin e BE-së për ngritjen e mirëqenies sociale dhe ekonomike në Kosovë
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka pritur në takim përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, udhëheqësen e Njësisë së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Anne-Sophie Huee, dhe ekspertin për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore të Fondacionit Evropian për Trajnime, Matthias Themel.
Përfaqësuesit e BE-së e informuan Hykollin për projektet dhe programet e BE-së që tashmë janë ngritur në Kosovë, sidomos për trajnimet lidhur me arsimin profesional dhe ndërlidhjen e tij me tregun e punës, po ashtu edhe për rëndësinë e dialogut social në këtë çështje.
Themel u ndërlidh edhe me çështjen e seminarit shkëmbyes trepalësh i cili pritet të mbahet në Bruksel prej 29 deri më 31 maj 2024 e që ka të bëjë me tranzicionin e gjelbër, në të cilin Hykolli do të marrë pjesë. Ndërsa Huee shpalosi programet që Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është duke i përkrahur dhe zhvilluar në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Hykolli i njoftoi të pranishmit për organizimin sindikal dhe për veprimet sindikale të BSPK-së.
Pos të tjerash, në takim u bisedua edhe për Këshillin Ekonomiko-Social dhe për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, si dhe për angazhimin e BSPK-së në rrjedhat dhe në aktivitetet përkitazi me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve, po edhe për përfshirjen në projektet dhe në programet e BE-së.
Kryetari Hykolli falënderoi përfaqësuesit e BE-së, Themel dhe Huee, për praninë e tyre dhe për të gjithë përkushtimin e BE-së me përkrahje të drejtpërdrejtë dhe praktike në drejtim të ngritjes së mirëqenies sociale dhe ekonomike të të punësuarve në Kosovë.