BSPK: Qeveria ka bërë veprim të ngutshëm me miratimin e propozimit të shtrenjtimit të energjisë elektrike
Pasi Qeverisë së Kosovës e miratoi propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës elektrike, ka reaguar BSPK-ja.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i drejtohet partnerit të saj social – Qeverisë se ka bërë veprim të ngutshëm me miratimin e propozimit të këtillë, të propozimit të cilit është dashur t’i kushtohet kohë dhe t’i nënshtrohet analizës profesionale para se të miratohet”, thuhet në reagimin e BSPK-së.
Reagimi i plotë:
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e priti me mjaft shqetësim propozimin e KEDS-it drejtuar ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, e me tejet shqetësim miratimin nga Qeveria të këtij propozimi.
Arsyetimi i KEDS-it se rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e ngritjes së çmimit të importit nuk mund të pranohet edhe po të jetë i saktë, dhe krejt kjo se popullata është shtrënguar plotësisht duke iu përkeqësuar gjendja ekonomike e sociale.
Edhe të punësuarit, të cilët për shkak të moscaktimit të pagës minimale, po edhe pjesa tjetër e popullatës e cila varet nga ndihmat sociale e edhe tjetra që nuk ka punë e as ndihma sociale do të gjenden në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale me këtë veprim të pa analizuar e të pamatur mirë.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i drejtohet partnerit të saj social – Qeverisë se ka bërë veprim të ngutshëm me miratimin e propozimit të këtillë, të propozimit të cilit është dashur t’i kushtohet kohë dhe t’i nënshtrohet analizës profesionale para se të miratohet.
Besojmë se Qeveria është e vetëdijshme se miratimi i sotëm do të sjellë deri te përkeqësimi dhe rëndimi i mëtejshëm i situatës ekonomike e sociale të qytetarit” thuhet në reagimin e BSPK-së, të nënshkruar nga kryetari Atdhe Hykolli.