BSPK: Shtrenjtimi i rrymës do ta hedhë përtokë qytetarin
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
BSPK-ja ka vlerësuar se shtrenjtimi i energjisë do ta vështirësojë jetën e qytetarëve të Kosova.
“Ka vite e vite që nuk ka një rritje të arsyeshme e të dinjitetshme të pagës minimale, po ka rritje e rritje të kostos së jetesës e cila sot preku kulmin dhe kjo prekje kulmi do ta hedhë përtokë qytetarin duke e tejvarfëruar”, është thënë në reagimin për medie të BSPK-së.
Reagimi i plotë i BSPK-së:
Shtrenjtimet e paarsyeshme janë duke e vështirësuar edhe më tej jetën ekonomike e sociale edhe ashtu të vështirësuar të qytetarit të Republikës së Kosovës.
Shtrenjtimi i paralajmëruar i energjisë elektrike e që sot u bë realitetet nuk ka të bëjë vetëm me energjinë elektrike të konsumuar, po ka të bëjë me tejrritjen e kostos së jetesës.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbështetës i proceseve parimore të zhvillimit të dialogut social nuk pajtohet aspak me këtë veprim të Qeverisë që të lejohet hapja e derës e cila do të lejojë të zhvillohen proceset të cilat do t’ua pamundësojnë jetesën normale të punësuarve e lëre atyre që nuk janë të punësuar.
Ka vite e vite që nuk ka një rritje të arsyeshme e të dinjitetshme të pagës minimale, po ka rritje e rritje të kostos së jetesës e cila sot preku kulmin dhe kjo prekje kulmi do ta hedhë përtokë qytetarin duke e tejvarfëruar.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret dhe thërret në arsyeshmëri të veprimit të ngutshëm e parimor që të mos i hapet dera proceseve jo të mira dhe dëmtuese që qojnë drejt varfërimin dhe vështirësimit të jetesës në Republikën e Kosovës.