“Buçaj” dhe Komuna e Mitrovicës do t’i ndërtojnë pesë shtëpi për familjet skamnore
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka, kanë pritur në një takim përfaqësuesin e kompanisë “Buçaj”, nga Prishtina, Fatmir Krasniqi, me bashkëpunëtorë, me të cilin kanë biseduar për realizimin e projektit për ndërtimin e pesë shtëpive për strehimin e familjeve skamnore nga Mitrovica që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.
Drejtuesit e komunës e kanë njoftuar përfaqësuesin e kompanisë “Buçaj” me përgatitjet e deritashme për realizimin e projektit të lartpërmendur që do të financohet nga kjo kompani.
Kryetari Bahitri ka falënderuar kompaninë “Buçaj” për vendimin e saj që të realizoj këtë projekt humanitar në Mitrovicë. “Vendimi dhe gatishmëria e juaj për të ndihmuar Mitrovicën në zgjidhjen e problemeve të strehimit për personat me gjendje të vështirë ekonomiko-sociale, është mirëpritur nga të gjitha institucionet komunale, drejtuesit e tyre dhe qytetarët e Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.
Ai ka njoftuar Krasniqin se Komuna e Mitrovicës, tashmë e ka ndarë hapësirën e nevojshme për ndërtimin e shtëpive. “Tashmë gjithçka është në rregull. Përgatitjet janë bërë të gjitha dhe ne mund të fillojmë që sot me realizimin e projektit”, ka thënë Bahtiri.
Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë “Buçaj”, Fatmir Krasniqi, ka thënë se vizita e tij në Mitrovicë kishte për qëllim që të mësoj saktësisht se si qëndron puna lidhur me përgatitjet për fillimin e realizimit të projektit. “Ne jemi të lumtur që kemi mundësinë që të ndihmojmë sadopak Mitrovicën me këtë projekt humanitar. Edhe ne jemi të gatshëm për fillimin e ndërtimit të shtëpive, kështu që do ju njoftojmë saktësisht për ditën kur së bashku do ta vendosim gurthemelin për realizimin e projektit”, ka thënë Krasniqi.
/Epoka e re/