Buffoni: Ëndërroj Botërorin e Katarit

26 korrik 2021 | 11:13

Ndonëse në moshën 43-vjeçare, Gigi Buffoni nuk ka ndërmend të “varë dorezat në gozhdë”, pasi është rikthyer te Parma me qëllim që të sjellë sërish emilianët në Serinë A, por në një intervistë për mediat italiane nuk e fsheh as synimin madhor për të qenë pjesë e Italisë në Botërorin e Katarit vitin e ardhshëm.

“Mançini ka bërë diçka të jashtëzakonshme dhe për këtë meriton elozhe e komplimente. Unë jam 43 vjeç dhe për respekt të punës së trajnerit, nuk do të kandidohem asnjëherë, por Botërori më shërben për të ëndërruar, në të kundërt pse duhet të vazhdoj të luaj. Është thuajse e sigurt që Mançini nuk do të më grumbullojë dhe me të drejtë, pasi ka tashmë lojtarët e tij, por unë duhet të mendoj që kam një Botëror përpara, në mënyrë që të motivohem edhe më shumë”, u shpreh portieri legjendar italian.

Ish-shoku i Buffonit te Juventusi, Federico Chiesa, ishte një nga protagonistët e suksesit të Italisë në Kampionatin Evropian, ndërsa gardiani 43-vjeçar pranon se fillimisht ka qenë skeptik për aftësitë e sulmuesit anësor. “Donnarumma dhe Chiesa ishin pa diskutim dy nga elementët më të spikatur të kësaj Italie. Kur Fede erdhi te Juve një vit më parë, nuk e mendoja se ishte kaq i fortë, por një vit aty i shërbeu për t’u rritur shumë. E patë ndaj Anglisë, që kur merrte topin, nuk e ndalte dot askush. Tregoi veten në një kompeticion të rëndësishëm, aty ku shumë futbollistë nuk ia dalin t’i nxjerrin në pah aftësitë e tyre”, ka shtuar Buffoni.

Sezonin e fundit te Juventusi, Giggit iu desh të punojë me Andrea Pirlon trajner, një ish-shok skuadre që u kritikua jo pak në aventurën e tij të re në pankinë, megjithatë Buffoni e merr në mbrojtje dhe vlerëson punën e tij.

“Përveç 3-4 muajve të parë, ku natyrisht pati disa vështirësi në menaxhimin e situatave, Pirlo u përshtat më pas shumë mirë dhe ishte një trajner i mirëfilltë. Mund të them se bëmë një sezon mjaft pozitiv, ndonëse vinim pas nëntë titujsh kampion radhazi dhe natyrisht që pritshmëritë ishin më të mëdha”, u shpreh Buffoni.

Me 43 vjet mbi supe, Buffoni nuk ka ende një datë se kur do të tërhiqet nga futbolli i luajtur, megjithatë pranon se kur të vijë ky vendim, nuk do të vuajë shumë, pasi do t’u përkushtohet pasioneve të tjera që i ka lënë pas dore. “Për momentin dua të ndihmoj Parmën të rikthehet në Serinë A. Tërheqjen nuk e mendoj për sa kohë që shoh se jam i aftë të bëj mirë punën time në portë. Nëse shoh që nuk ofroj më siguri, patjetër që do të tërhiqem dhe nuk besoj se do ta vuaj këtë, pasi do të rri më shumë me familjarët e mi dhe do t’u përkushtohem pasioneve të vogla që i kam lënë pas dore gjatë karrierës time”, u shpreh portieri italian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Tunizisë shkarkoi kryeministrin dhe pezulloi Parlamentin, pas shpërthimit…