Buffoni: Ja tre portierët më të mirë
Gianluigi Buffon po kalon një rini të dytë në skuadrën e Parisit. Portieri italian që erdhi në sezonin e fundit nga Juventusi pas shumë vitesh karrierë në Torino, tani është një nga lojtarët më kyç të skuadrës të drejtuar nga Tomas Tuchel.
Ndeshja e ardhshme është ajo ndaj Napolit në Paris, një takim delikat ku parisienët do të kërkojnë të shmangin një eliminim të turpshëm në fazën e grupeve edhe pse luajnë në një grup të vështirë me Napolin, Liverpoolin dhe Crverna Zvezdën.
Për Buffon sfida duhet vlerësuar në maksimum. “Napoli është një skuadër me kualitet, ka lojtarë shumë të mirë teknikisht dhe po kryesojnë grupin me meritë. Duhet të jemi vigjilentë gjatë gjithë 90-minutëshit”, u shpreh Bufon. Më pas, ish-portieri i kombëtares “Axurre” përmendi edhe portierët që sipas tij janë më të mirët për momentin.
“Do të përmend vetëm tre emra, por do të harroj 100. Do të përmendja Manuel Neuerin, normalisht De Gean dhe Jan Oblak. Më pas janë edhe të tjerë. Cortua dhe Navas. Jemi në një epokë ku bëjnë pjesë shumë portierë të mëdhenj”, u shpreh Buffon. Për t’u përmendur është fakti që Buffon harron të fusë në listë Donnarumën, portierin e Milanit.
Edhe pse ai gaboi në ndeshjen e fundit ndaj Interit në golin e vetëm të shënuar nga zikaltrit, portieri italian është nga më të mirët për moshën që ka duke luajtur për një nga skuadrat më me histori në futbollin botëror, Milanin.