Bugajski: Serbia do të përpiqet ta destabilizojë Prishtinën, Sarajevën dhe Podgoricën
“Serbia do të përpiqet të zgjerojë qëllimet e saj hegjemoniste duke dominuar apo destabilizuar qeveritë fqinje në Sarajevë, Prishtinë dhe Podgoricë”.
Kështu ka thënë analisti amerikan dhe bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestoën në Uashington, Janusz Bugajski për mediet malazeze.
Sipas tij, shumica sovrane në Mal të Zi duhet të përgatitet për t’u mbrojtur në mënyrë më efektive kundër çdo përmbysjeje më të gjerë të pavarësisë së vendit.
Mendon se projekti i “Serbisë së Madhe” mund të luftohet edhe duke bashkëpunuar me vendet e tjera të synuara, veçanërisht me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën.
“Këtu përfshihet mbrojtja e institucioneve shtetërore nga Serbia e Madhe dhe klerikalizmi. Rezistenca politike dhe sociale do të tregojë se kombi malazez nuk është i gatshëm të jetë partner i vogël i Serbisë. Projekti i ‘Serbisë së Madhe’ mund të luftohet edhe duke bashkëpunuar me vendet e tjera të synuara, veçanërisht me Bosnje – Hercegovinën dhe Kosovën, për të ruajtur pavarësinë e ndërsjellë”, ka thënë Bugajski.
Duke iu referuar zgjedhjeve të mbajtura së fundmi në Serbi, ku partia e Aleksandër Vuçiqit, ku përsëri ka fituar numrin më të madh të votave dhe se si kjo do të ndikojë në marrëdhëniet në rajon, Bugajski beson se rezultatet do ta detyrojnë qeverinë e Vuçiqit të intensifikojë agjendën e saj mini-imperialiste në Ballkanin Perëndimor.
Synimi i Serbisë, siç ka thënë ai, është që Mali i Zi të bëhet një shtet vasal që do të ndjekë politikën e jashtme dhe të sigurisë së Serbisë dhe jo ta sfidojë Beogradin në skenën ndërkombëtare.
“Megjithatë, ne mund të dëshmojmë gjithashtu një luftë midis forcave pro-Beogradase dhe pro-evropianëve të vërtetë në koalicion, të cilët nuk janë të korruptuar nga paratë e Kremlinit, dhe kjo mund të paralizojë qeverinë dhe të çojë në zgjedhje të reja të përgjithshme”, ka shkruar Bugajski.