“Bugatti”-n e ri mund ta kenë vetëm 10 pasanikë
“Bugatti” ka zbuluar modelin më të fundit të prodhuar prej saj, i cili u prezantua të premten në Kaliforni. “Bugatti Centodieci” do të kushtojë plot 9 milionë dollarë dhe në total do të prodhohen vetëm 10 copë.
Kjo makinë është realizuar si homazh ndaj “Bugatti EB110”, një supermakinë e prodhuar fillimisht në fillim të viteve 1990. EB110 u ndërtua në Itali, pranë fabrikave të “Ferrari”-t, “Lamborghini”-t dhe “Maserati”-t. Por modeli ishte totalisht një dështim, edhe pse vlerësohet ende si një ndër supermakinat më të mira të prodhuara ndonjëherë.
Në vitin 1998, “Volkswagen” bleu markën “Bugtatti” dhe arriti që të ringrinte emrin e saj, duke e rikthyer në një prej prodhuesve më të mëdhenj të makinave sportive luksoze. Motorit tradicional me 16 cilindra i janë shtuar 100 kuaj fuqi në krahasim me modelin Chiron, duke e çuar në 1600 kuaj fuqi. “Centodieci” gjithashtu arrin nga 0 në 100 km/h në vetëm 2,4 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale arrin gati në 380 km/h.
Të dhjetë modelet që do të prodhohen janë prenotuar tashmë nga 10 milionerë. Modeli bazë është me ngjyrë të bardhë, por ata do të kenë mundësi ta kërkojnë makinën në çfarëdo ngjyre të dëshirojnë.