Buja: Do të ngre padi ndaj Prokurorisë
Shukri Buja, anëtar i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve, i cili po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e listave të fryra të veteranëve, ka thënë se do të ngre padi ndaj Prokurorisë, pasi sipas tij me publikim e gjithë atyre emrave është shkelur ligji dhe të drejtat e njeriut.
Në një intervistë për “Frontal” në “T7”, Buja ka thënë se të gjithë ata ushtarë të cilëve u janë publikuar emrat në ato lista, kanë të drejtë që të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti.
“Secili ushtarë që është në atë listë i janë shkelë edhe të drejtat. Ushtarët duhet të kërkojnë që të kompensohen, me 100 mijë euro”, ka thënë Buja.
Sipas tij publikimi i listave është një shkelje e rëndë.
“Unë nuk do të hyjë se i kujt është interesi. Publikimi i emrave ka bërë dëm më të madh se listat e fryra”, është shprehur ai .
Buja ka thënë se nuk kishte pranuar të fliste kur ishte intervistuar nga ish-prokurori Elez Blakaj, pasi sipas Bujës ai nuk ishte një prokuror profesional
“Unë e kam paralajmëruar Elez Blakajn kur më ka marrë në pyetje. Unë nuk kam pranuar të flas me të. Unë nuk jam përgjigjur para një prokurori jo profesional, sepse ai nuk e di as se si ishte formuar ushtria”, ka shtuar Buja.
Ai thotë që përgjegjësia për çështjen e listave të fryra duhet të kërkohet edhe tek Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli.
“Duhet që Thaçi të deklarohet a ka pas ndonjë marrëveshje politike apo jo. Thaçi më ka emëruar mua si anëtar të komisionit për zonën e Nerodimes. Duhet të flas edhe Kadri Veseli e Isa Mustafa”, ka shtuar tutje ai.
Buja ka thënë se do të ngrejë padi ndaj prokurorisë, pasi sipas tij publikimi i emrave nga aktakuza e Prokurorisë përbën shkelje.
“Prokuroria me rastin e publikimit të këtyre emrave të aktakuzës ka shkelë ligjin. Prandaj do të paditet nga unë personalisht, për shkeljen e ligjit të prokurorisë së shtetit. Për shkeljen e të drejtave të mia, sepse prokuroria nuk ka të drejtë të publikimit të emrave”, ka thënë Buja.