Buja pas dështimit të seancës për veteranët: Dirigjenti është i pafytyrë
Pas dështimit të seancës për rastin e veteranëve të UÇK-së për shkak të mos krijimit të kushteve ligjore, i akuzuari Shukri Buja e ka cilësuar këtë seancë si orkestrim të mirë, por që sipas tij, dirigjenti nuk është parë.
“Është një proces më shumë politikë, se sa diçka e vërtetë. Asnjë institucion nuk e ka shpall dikë veteran të rrejshëm. Është diçka banale të thuhet që janë veteran të rrejshëm. Po shihet se do të zgjas ky proces. Pjesë e këtij komisioni, unë do të ftoj shumë dëshmitarë, sepse janë diku rreth 800 që vlerësohen si veteran të rrejshëm. Do t’i ftoj të gjithë që kush ua nënshkroi këto aplikacione. Pra do të përballemi me një proces shumë të gjatë”, ka thënë Buja.
Buja ka thënë se dirigjenti i këtij rasti është i pafytyrë, ku sipas tij pjesë orkestruese në këtë proces janë edhe mediet.
“Instrument i gjykatës, ju po bëni shumë zhurmë në këtë punë. Nëse ju vazhdoni me i dhënë zë kësaj, sepse dihet kjo është vërë me presion të opinionet. Ju e dini që po ashtu pjesë të komisionit nuk kanë qenë vetëm këta të ftuarit këtu”, tha ai
Më tutje, Buja nuk i ka kursyer nga akuzat as bartësit tjerë të luftës çlirimtare. “Anëtar i komisionit i rregullt ka qenë edhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, të njëjtin funksion e kemi pas. Pse duhet të kursehet Sami Lushtaku e Hashim Thaçi?”, është shprehur Buja.
Në mungesë të kushteve ligjore seanca për rastin e veteranëve është shtyrë për 14 mars .