Bujar Ejupi kishte denoncuar te Kurti se si deputeti i LVV’së po orkestron dhënien e një licence një kompanisë private, 5 ditë pas Qeveria e shkarkoi

23 gusht 2023 | 22:12

Bujar Ejupi, që sot u shkarkua nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), me vendim të Qeverisë së Kosovës, të premten i kishte shkruar një letër Kryeministrit Albin Kurti, zëvendësit të tij Besnik Bislimi dhe Ministrave Liburn Aliu e Hekuran Murati, në të cilën kishte denoncuar ndërhyrjen e zyrtarëve të qeverisë dhe një deputeti të LVV’së për t’i mundësuar qasjen në Tregun e Shërbimeve në Tokë një kompanie private në Aeroportin e Prishtinës.

Ndër të tjera, në letrën e tij ai përmend edhe mbi 15 shkresa të cilat pohon se u ka dërguar të njëjtëve – Kryeministrit Kurti dhe të tjerëve – për të reaguar ndaj disa grupeve të interesit dhe ndaljes së monopoleve të tyre në Tregun e Shërbimeve në Tokë, e të cilat janë injoruar nga shefi i Qeverisë dhe vartësit e tij.

Ejupi, në letrën e tij, ngreh shqetësime se praktika e ndërhyrjes së zyrtarëve qeveritarë dhe deputetit të LVV’së, të cilën e përmend me emër – Driton Hyseni – rrit mundësinë e ndikimit joformal dhe trajtimit të operatorëve ekonomik në kushte jo transparente dhe jo të barabarta. I kujton shefit të ekzekutivit, se si ai dhe vartësit e tij nuk i janë përgjigjur në një sërë shkresash të tij në të cilat ish-shefi i AAC’së pohon se ka denoncuar monopolet e krijuara në Aviacionin Civil të Kosovës.

Tregon se me datë 10 gusht 2023 ishte takuar me përfaqësuesit e kompanisë private të huaj, e cila po synon licencën për hyrje në tregun e shërbimeve në Tokë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, dhe se në takim iu dhanë informata tronditëse për ndërhyrjen e zyrtarëve të qeverisë së deputetit Hyseni në proces. Të gjitha ato informata, Ejupi, përmes shkresës të cilën e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, i përcjelli edhe te Kryeministrit Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ai i Financave, Hekuran Murati.

“Duhet të përmendet fakti që përfaqësuesit e kompanisë “Airline Assistance Switzerland AG” kanë deklaruar se para takimit me AAC-në paraprakisht ishin takuar edhe me zyrtarët qeveritrarë se dhe me deputetin z. Driton Hyseni (i cili para se të bëhet deputet ishte zyrtar i LIMAK-ut, kurse i njejti është i afërt edhe me punëtore të AAC-së përgjegjës për rregullimin ekonomik, por edhe me zyrtarë të kompanisë AAS (Yusuf Incerkara) që paraprakisht kishin punuar në LIMAK Kosova së bashku me z. Hyseni) dhe kjo praktikë ku operatorë paraprakisht takohen në nivele politike/jo formale para se të bëhen transparente kushtet për hyrjen në treg të operatorëve potenciale, është shqetësuese dhe rrit mundësitë e ndikimit joformal dhe të trajtimit të operatorëve ekonomik në kushte jo transparente dhe jo të barabarta”, shkruan Ejupi në letrën të cilën e dërgoi të premten te Kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij, e të cilën të plotë e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.

5 ditë pas këtij denoncimi për dallavere nga ana e zyrtarëve qeveritarë dhe një deputeti të LVV’së, si dhe ndërhyrjes së tyre në një institucion të pavarur, autori i saj, Bujar Ejupi, u shkarkua nga pozita e drejtorit të AAC’së me vendim të Qeverisë së Kosovë, e cila drejtohet nga Kryeministrit Kurti.

“Ju informojë se për hyrjen në treg të një kompanie tjetër për ofrimin e shërbimeve në tokë, respektivisht për heqjen e monopolit të ofrimit të shërbimeve në tokë në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinë, kërkohet të zbatohet Rregullorja (AAC) nr. 4/2021 për Qasjen në Tregun e Shërbimeve në Tokë, të ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren (AAC) nr. 5/2019. Kjo rregullore përcakton kushtet dhe specifikat teknike lidhur me mënyrën e aprovimit të ofertuesve të shërbimeve në tokë, ku përfshihet: zgjedhja e furnizuesve, infrastruktura e centralizuar, tarifat e aplikueshme, kufizimet në numrin e furnizuesve të aprovuar, qasja në objekte, mbikëqyrja, etj”, shkruan tutje Ejupi në letrën e dërguar Kurtit, Besnik Bislimit, Liburn Aliut dhe Hekuran Muratit.

“Pra, për hapjen e tregut për shërbyesit në tokë kërkohet që organi menaxhues i Aeroportit ANP “Adem Jashari” të publikojë Infrastrukturën e centralizuar dhe të aprovohen nga AAC tarifat të cilat do të aplikohen ndaj ofertuesve të shërbimeve në tokë. Lidhur me këtë çështje AAC i ka adresuar Komitetit të PPP dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës me dhjetëra shkresa”, thotë tutje ish-drejtori i AAC-së i shkarkuar sot nga Qeveria e Kosovës, me propozim të zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishit.

Tutje, ai bashkëngjit edhe vendimin e AAC’së të datës 19 janar 2021, për të cilin thotë se nuk është duke u zbatuar nga organi menaxhues i Aeroportit.

“P.s. Kërkesa ime që të trajtohet me transparencë hapja e tregut në ANP (shihni mbi 15 shkresa të dërguara) është pikërisht pse grupet joformale në AAC, të cilat kanë punuar kundër hapjes së tregut që kanë lejuar tarifa të jashtëligjshme, tash përpiqen që me ndikimi politike dhe manipulime të ndryshme të aranzhojnë “nën tavolinë” hyrjen në treg të kompanive në mënyrë jo transparentë”, pohon në fund Ejupi në letrën që i dërgoi të premten Kurtit dhe vartësve të tij.

Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të marrë një deklaratë nga deputeti Hyseni në lidhje me pretendimet e Ejupit në letrën për Kurtin, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të gazetës, e as me SMS deri në momentin e publikimit të tekstit, pasi ishte lutur që t’i shkruajmë mesazh.

Letra-e-Ejupit.jpg

<img src=”https://reporteri.net/wp-content/uploads/2023/08/Letra-e-Ejupit.jpg” alt=”” class=”wp-image-848612″ width=”620″ height=”775″/>

Nga ana tjetër, “trajtimi i vetëm” i pretendimeve të Ejupit në shkresën e tij, nga ana e Qeverisë së Kosovës, u bë duke e shkarkuar atë të mërkurën nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), 5 ditë pasi e dërgoi denoncimin.

Kjo pasi propozim-vendimin për këtë e bëri zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në mbledhjen e së mërkurës së Qeverisë së Kosovës.

“Sot para jush paraqes propozim-vendimin për përfundimin e parakohshëm të mandatit të drejtorit të përgjithshëm të Autoriteti të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi. Mos-aprovimi i raporteve vjetore të AAC nga Kuvendi i Kosovës, raportimi i shkeljeve proporcionale të z.Ejupi nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC, raportimi me shumë gjetje i autoriteti mbikëqyrës të Islandës në emër të KFRO-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë të kontraktuar nga DEASA dhe një varg shkeljesh të ndryshme, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e parakohshëm të mandatit të z.Ejupi”, tha Durmishi.

Tashmë ish-Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi, para pak ditësh publikisht kishte denoncuar se po përballet me sulme, presione e shantazhe që nga koha kur ka lajmëruar keqpërdorimet që pretendon se janë bërë në AAC.

Në një postim të gjatë në Facebook, ai me 2 gusht 2023 kishte renditur veprimet që ka ndërmarrë që nga koha kur është emëruar si Drejtor i Përgjithshëm. Ndër të tjera, Ejupi ka treguar se AAC ka raportuar thyerjen e ligjit për tarifat e kerozinës, si pasojë e së cilës janë përfituar mbi 2 milionë euro nga operatori ekonomik.

Gazetës Online Reporteri.net kishte raportuar se Ejupit prej kohësh Qeveria e Kosovës ishte duke ia bllokuar proceset brenda Autoritetit të Aviacionit Civil dhe se i njëjti po përballej me kërcënimet për shkarkim nga detyra shkaku i punës së tij.

Krejt kjo, siç kishte marr vesh Gazeta Online Reporteri.net, dhe siç ishte pohuar edhe nga vetë Ejupi në reagimin e tij, ka të bëjë edhe me “monopolin e kerozinës” për avionë, që prej vitesh ndikon në “vjeljen” përmes biletave të shtrenjta të udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës.

“Rasti është paraqitur menjëherë nga AAC në komisionin PPP, pasiqë kërkohen hapa të menjëhershëm për të ndaluar thyerjen e ligjit shumë vjeçar në ANP. AAC për herë të parë ka adresuar hapjen e tregut dhe ka sinjalizuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes se kerozinës në aeroport”, kishte njoftuar Ejupi para pak ditësh.

Gazeta Online Reporteri.net në gusht të vitit 2021 kishte dëshmuar përmes një hulumtimi se si Monopoli i kerozinës po i siguronte miliona euro në vit Aeroportit dhe kompanisë “Ex-Fis”, duke i zhvatur kështu edhe xhepat e udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës.

Hulumtimi kishte gjetur se mbi 10 milionë Euro rezultonte t’i ketë pasur fitim bruto vetëm gjatë viteve 2018 dhe 2019 kompania e derivateve “Ex Fis”, nga monopoli për furnizim me kerozinë në aeroport.

Po ashtu, burimet e Gazetës Online Reporteri.net kishin treguar që Ejupi ishte përballur vazhdimisht edhe me pengesa në punën e tij gjatë angazhimit të AAC-së për hapjen e korridorit ajrorë me Shqipërinë e Malin e Zi. Edhe këtë rast, Ejupi e kishte përmendur në postimin e tij.

“Reagimet negative ndaj kërkesës sime për ligjshmëri, si drejtor I institucionit të AAC, shfaqin nivelin e ndikimit dhe rezistencën që përballen përpjekjet e mija për të sjellë transparencë dhe ndryshim pozitiv në këtë institucion dhe çojnë në largimin e qëllimshëm të fokusit nga aspekti profesional mbikëqyrës i AAC-së drejtë temave fiktive dhe tendencioze lidhur me pozitën time si drejtor i përgjithshëm. Si drejtor i AAC, më vjen keq që duhet të përballem me sulmet, presionet dhe shantazhet e përditshme” kishte njoftuar Ejupi.

Ai kishte treguar edhe se është kërkuar hetim për mbi 110 incidente të raportuara të prishjes së Radarit, dhe mbi 43 humbje të energjisë në pajisjet jetike të navigacionit ajror, si dhe që inspektorëve të AAC-së u është kërkuar të ndalin zhvillimin e aktiviteteve për operatorët që ata mbikëqyrin, për të shmangur konfliktin e interesit.

Megjithatë, përkundër pretendimeve të Ejupit, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil e ka përshendetur vendimin e sotshëm, që sipas tyre është vendim i vonuar. /Reporteri.net/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Ballkani nesër (e…