Bujar Osmani në Mal të Zi, takoi Gjukanoviqin dhe Abazoviqin
Ministri i Punëve të Jashtme të Meqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë vizitës së sotme në Mal të Zi me rastin e Takimit Ministror të SHBA-së – Karta e Adriatikut të grupit A5, ka zhvilluar takime të ndara me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, si dhe me kryeministrin, Dritan Abazoviq.
Në takime siç njoftojnë nga MPJ e Maqedonisë, u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve, aktivitetet në lidhje me NATO Aleancën, si dhe sfidat e përbashkëta që lidhen me negociatat e dy vendeve për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
“Në takim u diskutua edhe për rrethanat gjeopolitike në nivel ndërkombëtar, me fokus të veçantë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe pasojat e të njëjtit në rajon; ndërsa Osmani e rikonfirmoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën në çdo nivel të mundshëm”.
“Osmani iu referua edhe prioriteteve dhe aktiviteteve të planifikuara të Maqedonisë së Veriut në kuadër të kryesimit të ardhshëm me OSBE-së në vitin 2023, duke theksuar situatën në Ukrainë dhe rikthimin e paqes dhe stabilitetit në terren, si sfidat më të rëndësishme për Organizatën gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.