Bujar Osmani: Nuk kam asgjë për të fshehur
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, ka thënë se është i befasuar nga informacioni mbi hetimet ndaj tij për keqpërdorim eventual të detyrës zyrtare.
Ai ka thënë se gjithmonë ka punuar sipas ligjeve dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Reagimi i tij ka ardhur pasi Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka njoftuar të mërkurën për nisjen e hetimeve për raste të reja që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare.
Në mesin e tyre është edhe Bujar Osmani, i cili në Qeverinë e kaluar ka qenë ministër i Shëndetësisë.
Osmani është zyrtari i parë i partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që akuzohet nga Prokuroria Speciale për shpërdorime.
“Hetimin e iniciuar e konsideroj si normal, korrekt dhe obligim profesional të Prokurorisë dhe në atë drejtim jam në dispozicion të Prokurorisë Speciale Publike, si dhe në cilindo organ tjetër të drejtësisë në vend, për bashkëpunim në interes të identifikimit të gjendjes faktike në tërësi”, ka thënë Osmani.
“Dua të theksoj se nuk kam asgjë për të fshehur”, është shprehur Osmani.