Bujar Qerimi emërohet selektor i Kosovës

17 shkurt 2021 | 14:57

Bujar Qerimi është emëruar selektor i Kosovës në hendboll (meshkujt). Vendimin e mori bordi i Federatës i Hendbollit të Kosovës.

Emri i njohur i hendbollit të Kosovës do të jetë në krye të ekipit përfaqësues në katër ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2022”. Kosova më 10 mars e pret Rumaninë në Prishtinë, ndërsa më 14 mars luan ndaj Rumanisë si mysafire. Në fund të prillit Kombëtarja jonë e pret Malin e Zi, kurse në fillim të majit luan si mysafire ndaj nënkampiones së botës, Suedisë.

“Bordi ka marrë vendim për selektorin pas situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 që ka prekur sportin në gjithë botën. Për shkak të kufizimeve në udhëtim, selektori i deritashëm, Taip Ramadani, e ka të pamundur që të udhëtojë nga Australia që të jetë në krye të ekipit. Për këtë arsye Ramadani ka ofruar dorëheqje. Bordi, duke çmuar kontributin e Ramadanit, ka vendosur ta pranojë dorëheqjen, duke u bazuar në rrethanat e krijuara. Bordi i FHK-së ka vendosur që pozitën e selektorit t’ia besojë ish-lojtarit të Borcit të Ferizajt, Bujar Qerimit”, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Qerimi ka bërë karrierë si trajner në Belgjikë, kurse së fundi ishte seleksionues i U-20 të Belgjikës. Tani Qerimi do të jetë në krye të “dardanëve” për këto katër ndeshje. FHK-ja ishte e interesuar edhe për trajnerët e tjerë shqiptarë, Jasmin Zhuta e Ibish Thaqi, por kësaj radhe u vendos për Bujar Qerimin, një emër i respektuar i hendbollit të Kosovës.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shënim të 13-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, lideri i…