Bujar Ramosaj edhe shumë vjet te klubi zviceran ku çmohet shumë
Reprezentuesi i Kosovës në hendboll, Bujar Ramosaj, ka vazhduar kontratën me klubin elitar zviceran, Kreuzlingen. Ramosaj 29-vjeçar, do të luaj për Kreuzlingenin të paktën deri në verën e vitit 2028.
“Jemi të lumtur që Bujar Ramosaj mbetet pjesë e familjes HSCK të paktën deri në verën e vitit 2028”, ka thënë shefi sportiv i Kreuzlingenit, Paul Kaletsch, duke çmuar reprezentuesin tonë.
Ramosaj është te Kreuzlingeni prej verës së vitit 2021 ndërsa prej fillimit ishte “shef i mbrojtjes”, ashtu siç e paraqet klubi. Kreuzlingeni ka shkruar se lojtari i gjatë 198 centimetra është lider dhe model i luftës së madhe në fushën e lojës, ndërsa jashtë sallës është i qetë dhe shumë i shoqërueshëm.
“Bujari është shembull ideal se si integrimi dhe identifikimi funksionon”, ka vazhduar Kaletsch, duke vlerësuar shumë lart lojtarin kosovar.
Ramosaj edhe jashtë hendbollit është integruar shumë mirë në Zvicër. Punon në spital dhe vlerësohet shumë lart po ashtu. Kreuzlingeni synon katër vendet e para në elitën e Zvicrës dhe Bujarin e sheh pjesë të rëndësishme të këtij projekti shumëvjeçar.
Trajneri i Kreuzlingenit, Ralf Bader, që ka përvojë në Bundesligën gjermane si lojtar e si trajner, ka vlerësuar se Ramosaj ka nivelin për të luajtur me sukses në Bundesligë, ligën më të fortë në botë. Për këtë Bader është shumë i lumtur që Ramosaj ka mbetur te Kreuzlingeni.
“Ndihem shumë komod në këtë klub”, ka thënë Ramosaj. Ai është i vendosur të vazhdojë kontributin te Kreuzligeni, e natyrisht edhe te Kombëtarja e Kosovës, ku po ashtu është prej lojtarëve më të rëndësishëm.