Bujqit e Gadimes i gëzohen investimit të KEDS-it
Një projekt shumë të rëndësishëm investiv sapo ka përfunduar KEDS-i në fshatin Gadime e Epërme të Lipjanit.
Fjala është për projektin e quajtur TS Shkolla Gadime, projekt ky që do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë të furnizimit dhe rënien e humbjeve.
Projekti është pritur tepër mirë nga banorët e kësaj ane, të cilët kryesisht merren me bujqësi. Për Agim Hajdinin banor i fshatit, projekti i KEDS-it është më i miri nga të gjithë projektet tjera që janë realizuar në këtë fshat.
“Shpeshherë kur bëj pagesën mujore të rrymës, paguaj edhe 20-30 euro avancë, prej gëzimit që kam për gjendjen e mirë që kemi me rrymë. Prej të gjithë projekteve që janë bërë në fshatin tonë, ky i KEDS-it është më i miri. Përpara me rrymën e dobët që kishim as vullnet për punë s’kishim, tash punojmë me qejf. Falënderojmë shumë KEDS-in dhe juve që po interesoheni për konsumatorët. Për 100 vjet e kemi hequr dertin për rrymë”, ka thënë Agim Hajdini, i cili punon në kompaninë “Bechtel & Enka”.
Gjatë implementimit të projektit KEDS janë vendosur tri trafostacione, dy me fuqi prej 160 kV, dhe një me fuqi prej 250 kVA.
Gjithashtu janë vendosur 99 shtylla betoni për tensionin e ulët dhe 66 shtylla për tensionin e mesëm. Janë shtrirë edhe 6 km kabllo ajrore për tensionin e ulët dhe 2km rrjet të tensionit të mesëm.
Janë 130 familje që përfitojnë nga ky investim.
Gjendja energjetike në këtë fshat ka qenë tepër e rëndë, mbingarkesat shpesh sillnin ndërprerje të energjisë elektrike dhe banorët thonë që kanë pasur problem për me i përdorë edhe pajisjet më të thjeshta shtëpiake.
Për ndryshimet dhe përfitimet e banorëve prej këtij investimi tregon edhe Xhyzide Limani, banuese në këtë lokalitet.
“Përpara një frymë që i prekte telat e ndalte rrymën. E kemi pas problem për t’i përdorur pajisjet shtëpiake që nuk punonin pa korrektorë. Tash rryma është e fortë”, thotë e zonja e shtëpisë, Xhyzidja.
KEDS-i vazhdon me investime në shumë vendbanime të Kosovës për të modernizuar rrjetin elektrik, që është zotim i kompanisë për të zgjidhur problemet infrastrukturore për shpërndarjen e energjisë.
/Epoka e re/