Bujqit në hall me normat e larta për kredi nga institucionet mikrofinanciare

08 nëntor 2024 | 14:28

Institucionet mikrofinanciare po tregohen mjaft “dorë shtrënguar” në raport me fermerët të cilët në të shumtën e rasteve kanë vështirësi për qasje në financa për mungesë të garancive që kërkojnë bankat komerciale.

Me gjithë këto kushte të vështira dhe norma të larta deri 19.2 për qind ose tre fish më të larta se kamatat në bankat komerciale, fermerët dhe të tjerët nuk u ndalën në marrjen kredive.

Nga janari deri në shtator, institucionet mikrofinanciare dhe financiare jobankare kanë pasur fitim të pastër 15 milionë e 200 mijë euro.

Fermeri Xhemë Krasniqi, i cili merret me bujqësi tash e shumë vite, rrëfen për “KosovaPress” sfidat që po hasin për të ‘mbijetuar’ në këtë sektor.

Madje, për të mos hequr dorë nga kjo veprimtari, ai thotë se pak kohë më parë janë detyruar të marrin kredi në një institucion mikrofinanciar për të mbuluar shpenzimet karshi nevojave të tregut.

Ai derisa tregon se kanë marrë kredi 15 mijë euro, thotë se janë të detyruar të kthejnë rreth 6 mijë euro më shumë. “Ne merremi me blegtori, e dorëzojmë qumështin tek një qumështore. Kredi kemi në Finca, 15 mijë euro i kemi marrë aty, diku për 5 vjet do t’i kthejmë rreth 6 mijë euro më tepër. Ato i kemi marrë para pak kohe, na duhen për të mbjellë grurin, na duhen për naftë, farë, për të gjitha, dhe i kemi shtuar edhe dy krerë lopë”, thotë Krasniqi.

Më tej Krasniqi thotë se kamatat për bujqit janë shumë të larta, derisa ka kërkuar edhe ndihmën e shtetit në këtë drejtim.

“KosovaPress” ka verifikuar edhe në njërën prej institucioneve mikrofinanciare për normat e kredive. Të njëjtit thonë se maksimumi i kredisë për bujqësi është deri në 25 mijë euro, duke theksuar se kohëzgjatja e kthimit është për 60 muaj apo 5 vjet, me këst 580 euro.

Në anën tjetër, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili thotë se normat e kredive për bankat dhe jobankat, në përgjithësi ato janë mbi mesataren e rajonit. “Normat e kredive për bankat dhe jo bankat pak a shumë e kanë ndjekur trendin paraprak. Në përgjithësi ato janë mbi mesataren e rajonit. Pra, nëse e shikon në rajon ka banka që kanë kamata më të larta se Kosova, ka që kanë më të ulëta, por megjithatë mesatarja e Kosovës është ende mbi mesataren e rajonit”, ka thënë ai.

Ndërsa, Kujtim Sahitaj, udhëheqës i marketingut, departamenti i marketingut në Kreditimin Rural të Kosovës (KRK), duke folur për kërkesat, thekson se kryesisht dominojnë klientët në bujqësi. Ai ka shtuar se si institucion mikrofinanciar i mbështesin bujqit në këtë drejtim për qasje në financa.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna kërkon nga institucionet mikrofinanciare që t’i zbresin normat e interesit. “Kërkesa jonë është që të shihet mundësia që të ulen këto interesa, por për t’u ulur këto interesa duhet ulur me gjitha institucionet mikrofinanciare dhe të shihet se cilat janë kërkesat e tyre dhe çka duhet të plotësojmë tek kërkesat e tyre që ato të kenë riskun më të vogël. Duke ja ulur riskun si institucione publike, institucioneve mikrofinanciare, padyshim që edhe ato ndikojnë në uljen e normës së interesit të kredive”, thotë Rafuna.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Lituanisë, kryediplomatja e…