
“Bukë për Drenicën”. Nënat tona me bukë në dorë, simbolin e jetës, u nisën drejt vdekjes
Shkruan: Astrit Gashi
Secila ditë e Pranverës së hershme të 1998 e ka një përvjetorë por sot më 16 mars 2025, shënojmë 27-vjetorin e protestës më të madhe të grave të organizuar ndonjëherë në histori.
Më shumë se 12 mijë gra shqiptare, me bukë në duar dhe me zemra të mbushura me dhimbje e guxim, marshuan drejt Drenicës Heroike, që po digjej nga flakët e luftës, duke sfiduar rrethimin serb dhe duke protestuar kundër krimeve që po kryheshin mbi popullin shqiptar. Ku familja Jashari kishte bërë sakrificën më sublime për lirinë tonë.
Kjo nuk ishte një protestë e zakonshme. Ishte një akt i fuqishëm që e kaloi kufirin e një thirrjeje për drejtësi, ishte një akt i shpirtit të pathyeshëm të nënave, motrave dhe bijave shqiptare, të cilat, me bukën, simbolin e jetës, u nisën drejt vdekjes për të thyer urinë dhe për të shpëtuar ata që donin t’i privonin nga e drejta më e natyrshme të jetojmë në tokën tonë.
Kjo protestë ishte një akt i pastër humanizmi dhe rezistence, ku zemra e një nëne s’ka frikë kur është fjala për fëmijët e saj, për lirinë, për të drejtat e popullit. Edhe kur dhuna e shtetit okupues i ndaloi në Fushë Kosovë, nuk mundi ta ndalonte forcën e asaj lëvizjeje. Ajo ditë, 27 vjet më parë, është shndërruar në një moment historik që nuk do të harrohet kurrë. Ajo nuk mbeti vetëm në kujtesën e Kosovës, ajo u bë pjesë e historisë globale të lëvizjeve të grave, një simbol i forcës së jashtëzakonshme që gratë mund të ofrojnë kur çështja është liria.
Sot, pas 27 vitesh, kujtojmë jo vetëm këtë akt madhështor, por gjithashtu mesazhin që ai la pas: Liria nuk fitohet vetëm me armë, por edhe me qëndresë, me unitet dhe me shpirt të pathyeshëm. Kur vjen momenti i së vërtetës, është gruaja shqiptare ajo që e mban barrën më të madhe dhe që qëndron e para.
Vitet ikin, por lotët nuk mund t’i ndalim as sot, as dje. Pavarësisht kohës që ka kaluar, akoma para syve më del imazhi i nënës, Rukije Nebiu, që një copë e grantes i kishte hequr gjysmën e kokës në Qirez të Drenicës. Ajo ishte një simbol i sakrificës sublime për lirinë tonë kolektive, një kujtim që duhet të na shërbejë si kauzë për të treguar përkushtimin tonë ndaj trashëgimisë dhe atyre që luftuan për liri.
Liria e Kosovës është fituar me shumë sakrifica, dhe çdo gjeneratë e re duhet të vazhdojë këtë kauzë me po të njëjtin guxim dhe qëndresë. Nuk mund të harrojmë, sepse kur harrojmë, tradhtojmë.