Bukuria më e madhe ndonjëherë lind nga vuajtjet dhe fatkeqësitë
Nga: Guendalina Middei
Përktheu: Beti Njuma
Kush nuk e ka dëgjuar së paku një herë në jetë, Simfoninë e Nëntë? A e dini se Beethoveni e shkroi këtë kryevepër pasi humbi dëgjimin? Kjo muzikë e jashtëzakonshme, një nga më të famshmet në botë, të drithëron nëse e kupton historinë që fshihet pas saj.
Sidoqoftë, jo të gjithë e dinë se emri tjetër i simfonisë është “Himni i gëzimit”. Në momentin më të errët të jetës së tij, Beethoveni kompozoi një vepër që është një himn për gëzimin, për shpresën.
Çfarë na thotë Bethoveni? Se bukuria më e madhe ndonjëherë lind nga vuajtjet dhe fatkeqësitë. Nëse lexoni biografitë e njerëzve të mëdhenj, do të gjeni një rënie, një moment dëshpërimi të tmerrshëm, një pengesë aq të madhe sa dukej e pamundur për t’u kapërcyer. Van Goghu u mbyll në një spital psikiatrik, Dostojevski u dënua me punë të detyruar, Bethoveni u shurdhua … Megjithatë, pikërisht në atë moment ai kompozoi muzikën më sublime dhe ka një arsye pse veprat e tij vazhdojnë të zgjojnë emocione kaq të forta.
Sepse, na tregojnë historinë e një shpirti që reziston dhe shkëlqen edhe në errësirë. Një gazetar pyeti një herë Michael Jordanin se si u bë një nga basketbollistët më të mëdhenj në botë. A e dini si u përgjigj? “Sepse nuk u dorëzova kurrë. Derisa luaja në NBA, kam humbur nëntë mijë gjuajtje”. Basketbollisti më i mirë në botë e ka humbur koshin nëntë mijë herë. Por, kjo s’përbën problem, sepse të bësh gabime nuk do të thotë të dështosh, dështon vërtet vetëm kur dorëzohesh. Dhe kështu bëri kompozitori i madh.
“Dua ta mbërthej fatin për fyti”, kështu shkruante Beethoveni në ditarët e tij, kur tashmë e kish humbur dëgjimin dhe i godiste tastet e pianos aq dhunshëm sa që e shkatërroi vetëm e vetëm për të dëgjuar tingujt e prodhuar nga duart e veta. “Nuk dorëzohem, nuk dorëzohem”, kështu tha! Dhe, sa më shumë përparonte sëmundja dhe bota bëhej për të një varrezë tingujsh, aq më shumë muzika e tij arrinte nivele hyjnore. Dhe, nuk ishin klithma dëshpëruese dhe ankuese ato që ai lëshonte, por klithma të furishme triumfi.