Bukurie Haliti, u. d. e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës
Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në mbledhjen që ka mbajtur ditën e djeshme, ka caktuar u. d. të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bukurie Halitin.
Gazeta “Epoka e re” ka marrë vesh, nga një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues, se në mbledhjen e mbajtur me datë 21 shkurt 2024, Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare ka emëruar Bukurie Halitin u. d. të kësaj biblioteke derisa të zgjedhet drejtori i ri, pas mbylljes së konkursit që ka shpallur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më 09.02.2024. Konkursi për drejtor të Bibliotekës Kombëtare është i hapur deri më 9 mars. Deri më sot për këtë pozitë nuk ka konkurruar asnjë kandidat.
Deri ditë më parë Haliti ka qenë punonjëse e Bibliotekës Qendrore Universitare. Pas një kërkese për transferim nga ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, bërë rektoratit të Universitetit të Prishtinës, nga rektori i këtij universiteti, Qerim Qerimi, është lejuar transferimi i saj me vendim të përhershëm dhe menjëherë është caktuar shefe e Departamentit të Katalogimit në Bibliotekën Kombëtare.
Gjithashtu, gazeta “Epoka e re” ka marrë vesh se kërkesa për transferim të Halitit nuk është bërë nga zyra e personelit, por drejtpërdrejt nga ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, kurse vendimi është protokolluar pas mbarimit të orarit të punës, pa qenë i pranishëm në zyrë shefi i personelit dhe i administratës, i cili bën protokollimin e lëndëve.
Po ashtu, “Epoka e re” ka marrë vesh se për këtë shkelje të rëndë disiplinore nesër do të njoftohet edhe prokuroria e shtetit, kurse në javën e ardhshme disa punonjës të Bibliotekës Kombëtare me një peticion do t’i drejtohen Ministrisë së Kulturës, ministrit Hajrulla Çeku, për kundërshtim të këtij vendimi të Këshillit Drejtues, pas caktimit të Bukurie Halitit u. d. e bibliotekës. Sipas tyre, edhe sipas kryetarit të Shoqatës Sindikale të Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare, Ramush Zeka, ka shkelje të shumta për emërimin e Halitit u.d., “të cilat do t’i përshkruajmë në shkresë dhe do t’ua përcjellim ministrit të Kulturës, Këshillit Drejtues të Bibliotekës, sekretarit të MKRS-së, KPMShCK-së dhe të gjitha medieve”.