Bukuroshja nga Kosova e zgjedhur ‘Miss London 2023’, Françëska Murati rrëfen historinë e saj: Më bullizuan si refugjate
Historia e saj është një nga ato e cila lirshëm mund të përkufizohet me shprehjen “Suksesi është hakmarrja më e mirë”.
Françëska Murati, një vajzë shqiptare në një familje emigrantesh në Londër e pati shumë të vështirë inkuadrimin në shoqërinë britanike, pasi duke qenë një refugjate, ajo nuk u pranua kurrë e njëjtë si të gjithë fëmijët e tjerë në shkollë. Megjithatë vetëm disa vjet më vonë, ajo lë anash të gjithë bashkëmoshatarët e saj dhe shpallet më e bukura e Londrës në vitin 2023.
Bukuroshja me origjinë nga Kosova është zgjedhur së fundmi fituese e konkursit ‘Miss Central London’, i cili është një kompeticion, në të cilin garojnë vajzat më të bukura të Londrës qendrore. Dhe Françëska është fituese e tetë çmimeve të mbrëmjes, përfshirë atë kryesorin. Ky sukses e ka nxitur atë të mendojë drejt një karriere edhe më të madhe në industrinë e modës dhe televizionit. “PSE JO” është tanimë motoja e jetës së saj, pasi ajo ndjen se asgjë nuk mund ta ndalojë.
Në një intervistë për Telegrafin, Françëska nga Londra ka treguar historinë e saj të dhimbshme të shpërnguljes nga Kosova si refugjatë, sfidat me të cilat është përballur gjatë jetës dhe për jetën dhe karrierën që ka ndërtuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Telegrafi: Françëska, ju jeni kurorëzuar së fundmi me titullin ‘Miss Central London’ në mesin e qindrave bukuroshe që konkurruan. Na trego pak sa e gëzuar je për këtë sukses?
Françëska Murati: Shumë! Nuk e prisja fare, ishte një shok për mua realisht! Vajzat e tjera kishin një muaj që ishin shpallur dhe po u përgatiteshin, ndërsa unë kisha dy javë dhe thash me vete “S’kam asnjë shans për të fituar”. Kur pastaj fitova pesë nga tetë çmime ishte një ‘Wow’ për mua. Mbas çdo gjëje, fillova të qaja se thash kam kaq shumë vite që e ndaloj veten nga ky gëzim se mendoja që nuk mund ta bëja, dhe jo vetëm që ia dola po ishte fitimi më i madh në historinë e kompeticionit, kështu që të them se jam e lumtur është shumë pak.