Bulku: Krenar që mu besua kombëtarja, i bindur tek fitorja
Ervin Bulku është njeriu që mori mbi super përgjegjësinë për të nxjerrë Kombëtaren Shqiptare nga momenti i vështirë që po kalon, pas humbjes me Turqinë dhe shkarkimit të trajnerit Christian Panucci. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Andorrën, Bulku theksoi rëndësinë e sfidës së nesërme dhe kërkoi nga skuadra që të japë maksimumin për të dalë me 3 pikë nga kjo transfertë.
Ju ka rënë mbi supe një përgjegjësi e rëndësishme. Nëse me Turqinë një humbje pranohej, me Andorrën duket se është e paimagjinueshme…
Unë jam pranë skuadrës dhe e njoh mirë grupin, ndaj edhe më takonte të marr një përgjegjësi të tillë, ndonëse jam një trajner i ri. Sfida me Andorrën është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të fitojmë nesër, që të mund të mendojmë për objektivin tonë. Eliminatoret sapo kanë filluar dhe kemi humbur vetëm ndeshjen e parë, ndaj të përqendrohemi te sfida e nesërme.
Çfarë emocioni dhe përgjegjësie është sfida me Andorrën?
Është përgjegjësi e madhe që më është ngarkuar, ndërsa detyra ime është që bashkë me çunat, të bëjmë më të mirën për të fituar ndeshjen ndaj Andorrës.
Riktheheni pas 17 vitesh në Andorra, pasi dikur luanit si lojtar zëvendësues. Çfarë do të ketë ndryshe?
Ndryshimi i vetëm është që këtë takim do ta fitojmë patjetër. Jemi të bindur që do t’ia dalim.
Cila është gjendja fizike e Balës dhe Sadikut. A mund të luajnë të dy së bashku?
Gjendja fizike mbetet për t’u parë mbas stërvitjes së sotme dhe më pas do të vendosim.
Si është atmosfera në ekip dhe gjendja psikologjike e lojtarëve?
Jemi munduar të harrojmë sa më shpejt atë humbje ndaj Turqisë. Mendoj se gjendja psikologjike është shumë e mirë dhe do të luajmë të bindur në suksesin nesër.
17 vjet më parë ishim në Andorra dhe ishte ndeshja e fundit që kishim një trajner shqiptar. Rikthehemi këtu dhe kemi sërish një trajner shqiptar. Çfarë koicidence është kjo?
Unë mendoj se jam trajner i ekipit në këto momente që flasim, pasi më kanë ngarkuar një detyrë të cilën do ta kryejë me angazhimin maksimal. Unë jam i ri dhe fati më solli në krye të Shqipërisë, ndaj kam bindjen e plotë te çunat, që do fitojmë dhe unë ta nis me një rezultat pozitiv.