Bullgaria dhe ShBA-ja forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes
Bullgaria ka pranuar të lejojë NATO-n, që të përdorë portin e saj në Detin e Zi derisa tensionet rriten midis Aleancës Veriatlantike dhe Rusisë janë në rritje.
Marrëveshja është arritur pas një takimi midis presidentit të ShBA-së, Donald Trump dhe kryeministrit bullgar, Boyko Borisov, në Shtëpinë e Bardhë, më 25 nëntor.
NATO-ja ka forcuar mbrojtjen e saj në Evropën Lindore, përfshirë rajonin e Detit të Zi, pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë në Ukrainë më 2014 dhe konfiskoi anijet e marinës ukrainase më 2018.
NATO-ja në fillim të këtij viti kreu stërvitje ushtarake në Detin e Zi që përfshinte më shumë se 20 anije dhe ekuipazhe nga Rumania, Bullgaria, Kanada, Greqia, Holanda dhe Turqia.
Flota ushtarake e Rusisë në Detin e Zi është e vendosur në Krime.
“Duke parë me shqetësim situatën e sigurisë në Detin e Zi, Shtetet e Bashkuara mirëpresin ofertën e Bullgarisë për të siguruar koordinimin detar në Varna në mbështetje të iniciativës së pranisë së shtuar të NATO-s”, ka bërë me dije Shtetet e Bashkuara dhe Bullgaria në një deklaratë të përbashkët.
Zyrtarët amerikanë dhe bullgarë do të zhvillojnë takime të nivelit të lartë për të diskutuar bashkëpunimin e mëtejshëm ushtarak detar, thuhet në deklaratë.
Anëtarët e NATO-s Bullgaria, Rumania dhe Turqia kufizojnë Detin e Zi së bashku me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Rusinë.
Ukraina dhe Gjeorgjia kanë shprehur dëshirën për t’u anëtarësuar në NATO.
Trumpi ka pritur presidentin rumun, Klaus Iohannis, muajin e kaluar, si pjesë e një serie angazhimesh me drejtues të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Këto vende përfshijnë Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë dhe Austrinë.
Para ardhjes së tij në Uashington, Borisov u ka thënë gazetarëve se ai nuk do të lejojë një bazë të përhershme ushtarake të NATO-s në Detin e Zi, një veprim që do të zemëronte Rusinë.
Mirëpo, Bullgaria ra dakord të vazhdojë të rrisë shpenzimet e saj ushtarake për të modernizuar ushtrinë dhe për të përmbushur objektivat e shpenzimeve të NATO-s për të paktën 2 për qind të produktit të brendshëm bruto, një prag që do ta tejkalojë këtë vit, pas blerjes së avionëve të parë luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara.