Bullgaria dhe vendet baltike dëbojnë disa diplomatë rusë

18 mars 2022 | 16:05

Bullgaria ka dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik.

Ministria e Jashtme bullgare ka thënë përmes një deklarate më 18 mars se u ka dhënë 10 diplomatëve, 72 orë për t’u larguar nga shteti.

Në deklaratë nuk janë dhënë hollësi për arsyet e dëbimit, mirëpo prej kur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, ambasadori rus në Sofje ka bërë vazhdimisht deklarata kontradiktore rreth pozicionit të Bullgarisë në konflikt.

Ministria nuk ka thënë po ashtu se kush është në listën e të dëbuarve.

Ambasada ruse në Sofje ka thënë të premten se vendimi i Bullgarisë për diplomatët rusë është “një tjetër hap agresiv”, për të cilin Moska do të përgjigjet.

Në një deklaratë të lëshuar në kanalin e saj në Telegram, ambasada ka thënë se i konsideron dëbimet si shenjë se Bullgaria synon të shkëpusë lidhjet Bullgari-Rusi në minimum.

“Ky demarsh armiqësor do të marrë një vlerësim dhe një reagim përkatës, adekuat për frymën e re të marrëdhënieve dypalëshe”, ka thënë ambasada.

Ndërkohë, Letonia dhe Estonia kanë thënë se do të dëbojnë nga tre diplomatë rusë, derisa Lituania u kanë thënë katër rusëve që të largohen nga shteti.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se Riga është duke dëbuar tre punëtorë të Ambasadës ruse “në lidhje me aktivitete që janë në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik, dhe duke marrë parasysh agresionin e vazhdueshëm rus në Ukrainë”.

“Ky vendim është koordinuar me Lituaninë dhe Estoninë”, ka thënë ai.

Estonia ka thënë se tre diplomatëve, që u ka kërkuar të largohen, “kanë qenë duke minuar sigurinë e Estonisë dhe duke përhapur propagandë për të arsyetuar veprimet ushtarake të Rusisë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. /Rel/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është hedhur shorti edhe për Ligën e Konferencës, ku ish-kapiteni…