Bullgaria i bën thirrje Rusisë të ndalë fushatën e spiunimit
Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i ka bërë thirrje Rusisë ta ndalë fushatës e spiunimit ndaj vendit të tij.
Deklarata e tij është bërë një ditë pasi autoritetet bullgare kanë shkatërruar një grup spiunimi, që i dërgonte sekrete ushtarake Rusisë.
Bullgaria është vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Prokurorët bullgarë kanë akuzuar gjashtë persona, përfshirë ish-oficerë të inteligjencës ushtarake dhe të tanishme, për dërgimin e informacionit të klasifikuar në lidhje me Bullgarinë, NATO-n dhe Bashkimin Evropian në Ambasadën Ruse në Sofje.
Nën akuzat e spiunimit, që nga tetori i vitit 2019, Bullgaria ka dëbuar pesë diplomatë dhe punonjës të Ambasadës Ruse.
“Mund të lind nevoja që prapë të deklarojmë si të padëshiruar diplomatët rusë. Unë u bëj thirrje përsëri udhëheqësve të tyre të ndalojnë spiunimin në Bullgari”, ka thënë Borisov.
Ambasada e Rusisë në Bullgari ka mohuar pretendimet e spiunimit. Zyrtarët rusë thanë se kjo është një përpjekje për të dëmtuar dialogun ruso-bullgar, raporton “Rel”.
Bullgaria ka lidhje të ngushta kulturore, historike dhe ekonomike me Rusinë. Rusia është partneri kryesor energjetik i vendit.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania thanë më 20 mars se qëndrojnë me Bullgarinë kundër veprimtarive “malinje” të Rusisë.
“Bullgaria është një vend mik, aleat i NATO-s dhe partner. Ne jemi duke vëzhguar me vëmendje hetimin bullgar mbi një rrjet të dyshuar spiunimi rus. ShBA-ja mbështet fuqimisht sovranitetin e Bullgarisë dhe qëndron me bullgarët kundër këtyre aktiviteteve malinje në territorin e tyre”, ka shkruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price në llogarinë e vet në “Twitter”.
Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, përmes një deklarate ka dënuar “veprimet armiqësore” të Rusisë.