Bullgaria, kampione e Evropianit në Prishtinë
Bullgaria është shpallur kampione e Kampionatit Evropian, Divizioni B, për femra U20, që për tetë ditë me radhë u mbajt në Prishtinë.
12 kombëtare luftuan nga fillimi, derisa në fund ishin vashat bullgare ato që triumfuan, duke mundur në finale Finlandën, në një ndeshje të jashtëzakonshme me rezultat 80:75. Finlanda e filloi mirë ndeshjen, por më pas Bullgaria u rikthye, derisa në momentet vendimtare ishte më e suksesshme dhe fitoi Evropianin në Prishtinë.
Kjo ishte hera e parë që një Evropian i Divizionit B u mbajt në Prishtinë dhe u organizua për mrekulli nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Në ceremoninë mbyllëse janë shpallur edhe më të mirët e Evropianit: Lotta Vehka-aho nga Finlanda, Holly Winterburn nga Britania e Madhe, Karina Konstatinova nga Bullgaria, Claire Melia nga Irlanda dhe Aëak Kuier nga Finlanda.
Lotta Vehka-aho nga Finlanda u shpall MVP i Evropianit, derisa çmimin ia dorëzoi Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. Medaljet për skuadrën fituese i kanë ndarë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Wilfred Gintschel nga FIBA. Ky i fundit ka dhënë trofeun për kapitenen e Bullgarisë.
Vendi i tretë i ka takuar Irlandës, që në një ndeshje fantastike ka mundur Britaninë e Madhe me rezultat 60:57. Irlandezet kishin edhe 20 pikë epërësi, por vashat e Britanisë së Madhe kanë luftuar deri në fund, edhe pse nuk arritën që të sigurojnë vendin e tretë, që njëkohësisht siguron edhe një vend në Divizionin A.
Izraeli u rendit në vendin e pestë, pasi mundi Kroacinë 70:61, kurse Turqia u rendit në vendin e shtatë, duke mundur Rumaninë me rezultat 86:56. Në grupin e fundit për vendet 9-12, Ukraina e ka mundur Islandën 61:47, derisa Kosova ka pësuar nga Greqia 55:79. Ukraina u rendit e nënta, Islanda e dhjeta, Greqia e 11-ta dhe Kosova e 12-ta. Ky Evropian ka qenë një përvojë shumë e mirë për vashat e Kosovës, që kanë një moshë mesatare 17-vjeç, derisa gjithashtu për herë të parë Kosova U20 mori pjesë në një ngjarje madhore.