Bullgaria kërkon të veçohet Shqipëria nga Maqedonia dhe të hapen negociatat për Shqipërinë

05 korrik 2021 | 00:09

Këtë vit, pavarësisht ndryshimit të qëndrimit nga vende skeptike si Holanda, vendimi penalizues për dy shtetet u ndikua nga vetoja e Bullgarisë prej mosmarrëveshjeve kryesisht identitare që ka me fqinjët maqedonas.

Por Bullgaria, ndërkohë, në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së që u mblodh në qershor, kërkoi që perspektiva e Shqipërisë të mos bllokohej sepse i meritonte negociatat.

Ora News kontaktoi me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë për të mësuar mbi debatet e asaj dite mes kryediplomatëve europianë në Luksemburg.

Zyra e Shtypit theksoi se ndaj Shqipërisë nuk pati rezerva.

“Për ne, parimi i meritës i secilit vend kandidat mbetet parimi i udhëheqës në procesin e zgjerimit. Në bazë të kësaj dhe të progresit të arritur nga Shqipëria në plotësimin e kushteve përkatëse, bëmë thirrje edhe në Këshillin e fundir që të miratohej Korniza e Negociimit me Shqipërinë” thuhet në reagimin ndaj Ora News.

Diplomacia bullgare i vlerëson reformat integruese në Shqipëri, por e nxit megjithatë qeverinë që t’i vijojë ato për interesin qytetar.

“Përpjekjet e Shqipërisë duken edhe me bindëse duke pasur parasysh dy rrethanat, si vështirësitë prej pandemisë së Covid-19 dhe rimëkëmbjen nga tërmeti i 2019-ës. Është e rëndësishme që qeveria tjetër t’i ndjekë ato me të njëjtin përkushtim,” vijon reagimi për Ora News.

Vizioni i Bullgarisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor është për integrimin e tij tërësor në Bashkimin Europian. Më Shqipërinë, Bullgaria ka gati 100 vjet lidhje diplomatike dhe synon ta forcojë partneritetin dypalësh me minoritet bullgar në vend.

“Shqiptarët mbeten ndër qytetarët me orientimin më proeuropian në Ballkanin Perëndimor. Ky është fakt i mirëpritur që tregon zgjedhjen dhe orientimin gjeopolitik të vendit.”

Ndërsa dihet pozicioni pozitiv për Tiranën, Sofia është shprehur se do të vijojë dialogun me Shkupin për tema ende të pazgjidhura me besimin, që me t’i adresuar ato, dy shtetet kandidate të mund ti hapin negociatat me Bashkimin Evropian, brenda presidencës sllovene.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania ajrore kombëtare “Air Albania”, ka njoftuar se në datë…