
Bulliqi e Durmishi nënshkruajnë memorandum për projekte infrastrukturore në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh
Kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimin me zëvendësministrin e infrastrukturës Hysen Durmishi për financimin e 5 projekteve të mëdha infrastrukturore në vlerë prej afër 5 milionë eurosh në Podujevë.
Projektet që do të financohen me këtë marrëveshje janë: Rikonstruimi dhe asfaltimi i rrugëve në qytet: “Bahri Fazliu”, “Agron Rrahmani”, “Ali Ajeti”, “19 Qershori” dhe “Bedri Bajrami”, me gjatësi totale prej 1,770 metrash, si dhe ndërtimi i urës mbi lumin Llap, rrugë lidhëse me rrugën nacionale N25 – Podujevë, me vlerë prej 1,434,000 euro. Ndërtimi i rrugës Orllan-Rakinicë dhe rrugës “Rubiku” në Orllan, me gjatësi 5,030 metra, si dhe ndërtimi i trotuarit te ura në Orllan, me gjatësi 300 metra, me vlerë prej 983,400 euro. Ndërtimi i rrugëve lidhëse Llugë-Bellopojë dhe Siboc-Dumosh, me gjatësi 2,600 metra, në vlerë prej 531,500 euro. Ndërtimi i rrugëve në fshatrat Sylevicë dhe Tërrnavicë, me gjatësi 6 kilometra, në vlerë prej 774,000 euro. Asfaltimi i rrugëve në fshatrat: Bajçinë, Dobërdol, Pakashticë, Metehi, Dumnicë, Bellopojë, Brainë, Tërrnavë, Llapashticë, Gllamnik, Sfeçël, Dumosh dhe rrethinë – Podujevë me vlerë prej 965,000 euro.
Bulliqi falënderoi zëvendësministrin Durmishi për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdushme në projekte infrastrukturore për qytetarët llapjanë.