Bulliqi e Isufi deklarohen para votimit të demarkacionit në Kuvend, thonë s’duan të ndikojnë te deputetët
Shpejtim Bulliqi e Florim Isufi, dy gjeografët më të zëshëm kundër mënyrës se si Kosova kishte shënjuar kufirin me Malin e Zi me marrëveshjen e vitit 2015, e që sipas tyre Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë, janë prononcuar në prag të datës kur pritet që t’i jepet epilog kësaj sage.
“Me shkas” e kanë titulluar prononcimin e tyre, e i janë përgjigjur një debati në televizionin publik të Kosovës.
Ky është postimi i tyre i plotë në “Facebook”:
Tani që i afrohet fundit procesi i ratifikimit të ‘marrëveshjes për kufirin mes Republikës së Kosovës me Republikën e Malit të Zi’ e nënshkruar në gusht të 2015, janë intensifikuar deklaratat dhe vlerësimet rreth rregullsive të këtij procesi. Në vazhdën e këtyre vlerësimeve ishte edhe debati i mbrëmshëm në RTK. Në këtë debat kishte edhe shumë devijime dhe gabime përmbajtjesore që fitohet përshtypja se bëheshin prej mosdijes e jo me qëllim, e si të tilla ka gjasa të shumta që të fusin në lajthitje opinionin në përgjithësi dhe deputetet në veçanti.
Nga gabimet e shumta përmbajtjesore ne po tentojmë ti sqarojmë vetëm disa:
1. U tha se “kufiri mes Malit të Zi dhe Kosovës u caktua në vitin 1930” (citat). Vet ky gabim kaq trashanik kuptohet se është bërë nga mosdija e jo me ndonjë qëllim. Asnjë historian, shkencëtar, politikan apo edhe gazetar nuk mund ta vërtetojë se në vitin 1930 (në Jugosllavinë SKS) ka pasur njësi administrative me emrin Mali i Zi dhe Kosovë, apo diçka të tillë. Po ashtu askush nuk mund të vërtetojë se njësitë administrative të asaj kohe që janë quajtur Banovina mes tyre kanë pasur vijën kufitare të njëjtë me vijën kufitare të marrëveshjes së gushtit të vitit 2015 apo me atë të vitit 1945/46. Një përhapje e një informate të tillë të rrejshme, mund të kuptohet e qëllimshme pasi nuk mund të vërtetohet kurrë.
2. U tha që kufiri i fshatit Koshutan në veri kalon kurrizin e malit Hajle dhe shtrihet në shpatine veriore të këtij mali. Si duket askush nuk e ka lexuar raportin e Komisionit mbi të gjeturat rreth këtij procesi. Në disa raste nuk ka përputhje të kufirit kadastral me kufirin administrativ. Në raste të tilla ndërron kufiri kadastral, jo ai administrativ. Vetë termi kufi administrativ d.m.th territor i administruar që me terminologjinë e GJND-së quhet kontroll efektiv. Nëse Kontrolli efektiv është pa dhunë dhe pa kontestime, automatikisht kuptohet edhe territor i njësisë që e administron, vetëm nëse ka ndonjë marrëveshje të përkohshme.
3. Po thuhet e u përsërit edhe në emisionin e mbrëmshëm se ka pasur një marrëveshje mes Malit të Zi dhe Kosovës për menaxhimin e pyjeve në pjesën veriore të Malit Hajle dhe NJP Zhleb. Nëse thuhet se ka pasur marrëveshje, ajo duhet të publikohet apo së paku vendi ku gjendet që të tjerët ta verifikojnë. Nuk mund të humbet territor me fjalë pa pasur ndonjë dokument qofte edhe i falsifikuar. Ata që thirren në një marrëveshje të tillë duhet të jenë të bindur që ajo ekziston, për ndryshe të gjitha përgjegjësit i barin për demet e pa riparueshme që ia shkaktojnë territorit të Kosovës.
Duke mos pasur për qëllim të ndikojmë në bindjen e deputetëve, e ndjemë për obligim të sqarojmë të vërtetën e këtyre vlerësimeve që po qarkullojnë nëpër media pa pasur asnjë fakt. Me këtë duam vetëm të udhëzojmë të interesuarit që të shfletojnë literaturë, dokumentacion apo edhe material arkivor dhe vet të vërtetojnë këto fakte para se t’i diskutojnë.